Search

Shqipëri: Miratimet e projekteve për t’u lidhur me rrjetin tejkalojnë 10 GW

23 Prill, 2024


Numri i centraleve të prodhimit të energjisë elektrike që kërkojnë të lidhen me rrjetin e transmetimit ka pësuar rritje të ndjeshme, teksa të dhënat zyrtare flasin për dhjetra mijëra MW që kanë marrë miratim për instalim, duke rritur nevojën për investime me qëllim integrimin e tyre në sistem.

Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë, të përpunuara nga TV SCAN janë 11 centrale, me kapacitet të instaluar rreth 367.5 MW që kanë nënshkruar marrëveshje për lidhje deri në vitin 2023 dhe priten të energjizohen gjatë viteve 2024 – 2025. Ndërkohë që, 5 centrale të tjerë nënshkruan marrëveshjen për lidhje në sistemin e transmetimit përgjatë vitit 2023.

Kapaciteti total i instaluar për këto impiante të prodhimit të energjisë arrin në rreth 189 MW. Por, ndjeshëm më i lartë është numri i centraleve që përgjatë vitit 2023 morën miratimin ose rimiratimin në parim për lidhje në sistemin e transmetimit.

Sipas të dhënave zyrtare në total janë 125 impiante, me një fuqi totale të projektuar prej 10,239 MW. Ky kapacietet është i konsiderueshëm, duke marrë në konsideratë se aktualisht vendi ynë ka një kapacitet total prodhues prej rreth 2,675 MW.

Ndërkaq, nisur nga fakti se një numër i konsiderueshëm i burimeve të energjisë elektrike, me kapacitet total prej 10,795.5 MW parashikohen që të ndërtohen dhe të lidhen në sistemin e transmetimit, Enti Rregullator i Energjisë thekson nevojën për një zhvillim më dinamik dhe investime për të integruar këto burime në sistemin elektroenergjitik shqiptar në vitet në vijim.

/SCAN