Search

Shqipëri: Masa për furnizimin me energji elektrike, dy termocentrale të lundrueshme nisin punën në korrik

11 Prill, 2022


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në përfundim të punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste deklaroi se qeveria ka marrë masa për furnizimin me energji elektrike përmes blerjeve afatgjata, shkëmbim dhe depozitim energjie dhe shtim kapacitetesh, përmes dy termocentraleve të lundrueshme që nisin punën në muajin korrik.

Balluku tha se një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte siguria energjetike, nisur nga kriza momentale. Sipas saj, u fol për strategjinë për të ardhmen që lidhet me krijimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në vend, dhe sigurisht për gjetjen e burimeve alternative, jo vetëm për energjinë, por edhe gazin e lëngshëm. Po ashtu për zhvillimin e industrisë nxjerrëse.

Ministrja informoi se po punohet për krijimin e një fashe sa i përket energjisë elektrike.

“Ne kemi bërë një analizë për një fashë që mund të vendoset për abonentët familjarë dhe që mund të aplikohet sa më shpejt të jetë e mundur duke mbrojtur vetëm një fashë që përdoret për nevojat të domosdoshme dhe pjesa tjetër do të paguhet me një çmim më të lartë për të balancuar atë pejsë që e blejmë në import”, theksoi Balluku.

Ministrja siguroi se përdorimi i Kaskadës është bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Ne do të vijojmë ta menxhojmë në mpnyrë që të ulim saasin e importit. Gjatë periudhës së verës kemi marrë masa me blerje afatgjatë, shkëmbim dhe depozitim energjie, por sigurisht edhe shtim kapacitetesh përmes dy termocentraleve të lundrueshme që nisin punën në muajin korrik”, tha ajo.

Duke u ndalur në zhvillimin e sektorit të transportit, ministrja Balluku informoi se synohet krijimi i një flote të re, e bazuar mbi linjat elektrike e hibride.

//ATSH