Search

Shqipëri: Energjia nga burimet e ripërtëritshme, gati rregullorja për garancitë e origjinës

20 Mars, 2024


Prodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme do të mund të pajisjen me garanci origjine nëse arrijnë të plotësojnë kushtet e nevojshme.

Një rregullore e fundit e Entit Rregullator të Energjisë, e nxjerrë për konsultim, parashikon rregullat për lëshimin, transferimin, shlyerjen dhe revokimin/anulimin e garancive të origjinës për energjinë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme.

“Qëllimi i kësaj rregulloreje, është të krijojë kuadrin e nevojshëm rregullator për krijimin e një sistemi tё saktë, tё besueshëm e transparent pёr lëshimin, transferimin dhe revokimin e garancive tё origjinës, duke siguruar një trajtim të barabartë e të drejtë, për të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, lidhur me lëshimin, transferimin apo revokimin e Garancive të Origjinës” thuhet në dokument.

Por çfarë është në të vërtetë një garanci origjine. Sipas termit të përshkruar në dokument Garancia e Origjinës (GO), është njё dokument elektronik, i cili ka funksion të vetëm që t’i provojë konsumatorit fundor se, një pjesë ose e gjithë sasia e energjisё elektrike të përdorur prej tij ёshtë prodhuar prej burimeve tё rinovueshme.

Kujtojmë se konsumatorët fundorë do të paguajnë në faturat e tyre të energjisë një tarifë që do të lidhet direkt me energjinë e rinovueshme. Pjesa e menaxhimit lidhet direkt me Operatorin e Energjisë së Rinovueshme një ent që nuk është ngritur ende dhe që do të qëndrojmë mes konsumatorëve fundore dhe prodhuesve të energjisë nga burimet e rinovueshme.

Rregullorja e re

Drafti i ERE parashikon që për prodhuesit që kanë marrë garanci origjine do të ngrihet një regjistër elektronik. “Një llogari në regjistër krijohet në bazë të një aplikimi, të cilin aplikanti ia dërgon në mënyrë elektronike organit lëshues të garancive të origjinës. ERE, si organi lëshues i garancive të origjinës në Republikën e Shqipërisë, i publikon rregullat për dorëzimin e aplikimit në mënyrë elektronike në faqen e saj të internetit” thuhet në rregullore.

Formulari i aplikimit duhet të përmbajë një sërë informacionesh që nisin nga emri, tullari i aplikimit, NIPT-i deri tek lloji i teknologjisë ë prodhon energjinë apo regjistrimi i pajisjeve. Kur nuk plotësohen Kushtet ERE i bën me dije subjektit që ka të paktën 5 ditë kohë për të dhënë informacionin e kërkuar. Aplikantët kanë të drejtë të regjistrojnë një osë më shumë pajisje prodhimi që ndodhen në Shqipëri. Sistemi do të ofrojë edhe mundësinë e modifikimit kur është e nevojshme.

Teksa biznesi duhet të bëjë deklarimet e tij ERE ka mundësi që të hetojë i vetëm për të konfirmuar vërtetësinë.

“ERE ka të drejtë të verifikojë pajisjet e prodhimit të regjistruara në çdo kohë për të përcaktuar nëse energjia elektrike prodhohet nga Pajisjet e prodhimit të energjisë elektrike dhe nëse matja e energjisë elektrike të prodhuar dhe/ose veprime të tjera kryhen në përputhje me informacionin e specifikuar në sistem. Refuzimi dhe/ose ndërhyrja në inspektimin e pajisjeve prodhuese nga pronari i pajisjeve prodhuese ose përfaqësuesi i autorizuar do të konsiderohet shkelje e këtyre Rregullave” thuhet në rregullore.

Ashtu si regjistrimi mbajtësit e garancive të origjinës mund të kërkojnë anulim të tyre. Rregullorja përcakton gjithashtu elementët që përfshin certifikata e garancisë së origjinës si dhe si veprohet në raste transferimi.

/Monitor.al