Search

Shqipëri: Energjia eolike, tjetër aplikim pranë MIE për impiant 55MW në Korçë

19 Korrik, 2024


Një aplikim për një impiant eolik me kapacitet të instaluar 55MW është dorëzuar së fundmi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Interesi për investime në energji si fotovoltaikë edhe eolike duket se mbetet i lartë në vend pavarësisht krizës së energjisë efektet e së cilës janë zbehur tashmë. Në një njoftim të bërë nga MIE jepen edhe detajet mbi këtë projekt që parashikohet të ndërtohet në zonën e Korçës.

“Në zbatim të Nenit 15 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015 “Për miratimin e rregullave dhe procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, që nuk janë objekt koncesioni” i ndryshuar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton si më poshtë: Bashkimi i Përkohshëm i shoqërive “ALBPOWER” sh.p.k, “FAVINA” sh.p.k dhe “FAVINA 1” sh.p.k ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti eolik me kapacitet të instaluar 55 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Njësinë Administrative Mollaj Bashkia Korçë, Qarku Korçë.

Afati për dërgimin e komenteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë është 15 ditë, duke nisur nga data e publikimit të këtij njoftimi” thuhet në njoftimin e MIE.

Kryesisht projektet për të cilat ka më shumë interes në energji janë ato fotovolatike, një nxitje që i është dhënë si nga ankandet e qeverisë por edhe nga bizneset private.

Ankandi më i fundit ishte ai për fotovolatikët hibridë ku 8 kompani u shpallën fituese dhe njëra u la si ofertë rezervë.

Sipas të dhënave oferta me çmimin më të ulët ishte 39.7 euro MWh ndërkohë që mesatarja për të gjithë ofertat ishte 51.3 euro dhe një kapacitet 283. 93 MWH. Më herët përmes ankandit janë dhënë edhe kapacitetet për Karavastanë që ka nisur prodhimin dhe Spitallën që është në proces.

Ndërkohë sa i projekteve eolike deri më tani nuk ka të konkretizuar por interesi ka qenë prezent.

Edhe në këtë segment qeveria aplikoi ankandet një vit më parë duke dhënë një kapacitet 222.4 MW tek tre kompani që shfaqën interes ku çmimi më i ulët ishte 44.88 euro/MWH. Oferta u dha nga bashkimi i Total EREN sa dhe KMV sh.p.k.

Oferta e dytë më e ulët erdhi nga GurisINSAAT, Morgan Energy dhe BRD Energy sh.p.k për një kapacitet 75 MW dhe një çmim 74 euro/MWh ndërkohë qe oferta e tretë erdhi nga Verbung AG për një kapacitet 72.6 MW dhe një çmim 74.95 euro/MWh.