Shqipëri: Energji e ripërtërishtme, BERZH studim për zhvillimin e erës në det të hapur
25 Mars, 2024
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në nxitjen e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Ekaterina Solovova, drejtore e BERZH për Shqipërinë, u shpreh në një intervistë për media se, “BERZH po punon me autoritetet shqiptare për të kryer një studim për zhvillimin e erës në det të hapur”.
“Shqipëria ka shumë mundësi të diversifikojë prodhimin e energjisë dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim autoritetet shqiptare për të përmbushur këto ambicie”, tha ajo.
Solovona u shpreh se, falë bashkëpunimit me BERZH janë tenderuar gjithsej rreth 765 MW fuqi e instaluar energjie nga burimet e rinovueshme, nga të cilat 465 MW janë dhënë tashmë dhe njëri prej tyre, centrali i Karavastasë, ka nisur prodhimin.
Sipas saj, një shembull tjetër i mirë është lehtësimi i financimit të ekonomisë së gjelbër, përmes të cilit BERZH ka mbështetur kreditimin e bankave për sektorin rezidencial për investime në përmirësimin e eficiencës së energjisë.
BERZH e sheh Shqipërinë, jo vetëm që është ambicioze në axhendën e saj të energjisë së rinovueshme, por është gjithashtu e etur për të vazhduar me reformat kryesore të sektorit.
“Për shembull, duke rishikuar Ligjin për sektorin e energjisë, vendi do të nxisë më tej zhvillimin e burimeve të rinovueshme dhe do të përafrohet me standardet e Bashkimit Europian”, tha Solovona.