Search

Shqipëri-Azerbajxhan, projekte të përbashkëta në energji

June 12, 2024


Shqipëria dhe Azerbajxhani do të bashkëpunojnë për të çuar përpara projekte të rëndësishme në fusha siç është energjia, ekonomia, bujqësia, kultura, shëndetësia, si dhe sektorë të tjetër që kanë të bëjnë me inovacionin dhe digjitalizimin.

Dy qeveritë përkatëse kanë krijuar Komitetin e Përbashkët Shqipëri – Azerbajxhan, i cili do të punojë për konkretizimin e projekteve.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e pranishme në mbledhjen e këtij komiteti në Baku, ka dhënë detaje të mëtejshme për bashkëpunimin kryesisht në fushën e energjisë.

“Së pari, siç e tha dhe ministri, Shqipëria është kampione në prodhimin e energjisë së rinovueshme, pasi prodhon 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme. Tani synimi ynë kryesor është të diversifikojmë portofolin e energjisë së gjelbërt, sepse deri më tani kemi qenë të bazuar nga energjia hidrike. Sigurisht ajo që është shumë e rëndësishme për Shqipërisë dhe ajo që kemi ndarë bashkë është siguria energjetike sepse sigurisht një vend mund të prodhojë energji të gjelbër, por nëse nuk ka mjaftueshëm sa për të plotësuar nevojat e tij apo të rajonit, atëherë ka probleme sa i takon sigurisë energjetike. Kështu, këto janë dy tema që duhet të bashkëpunojmë. Shpresoj që nga ky bashkëpunim, rezultati kryesore të jetë shkëmbimi i praktikave më të mira që kemi, krijimi i sigurisë energjetike falë gazit azer për rajonin e Ballkanit Perëndimor” deklaroi Belinda Balluku, Zv.Kryeministre dhe Ministre e Energjisë.

Nga ana tjetër do të bashkëpunohet edhe për krijimin e korridoreve të gjelbërta të transmetimit.

“Sa i takon korridoreve të gjelbër, transmetimi është sfida e re për të gjithë shtetet, pasi nuk mjafton vetëm të prodhosh dhe të jesh i izoluar si një ishull. Transmetimi e bën këtë produkt kaq të vlefshëm ndërkombëtarisht. Ajo që ne synojmë është që të jemi të lidhur me korridoret kryesore të energjisë, siç ju po punoni në tre projekte të mëdha sa i takon korridoreve, ne po punojmë shumë që të krijojmë korridorin e tetë të energjisë, si një korridor sigurie, jo vetëm për transportin apo udhëtarët, por dhe për energjinë. Pra e ardhmja do të jetë e fokusuar në investimet në rrjetet e transmetimit” deklaroi Belinda Balluku, Zv.Kryeministre dhe Ministre e Energjisë.

Angazhimet e ndërmarra në këtë mbledhje të komitetit do të jenë edhe prioritet për axhendat qeveritare të të dyja vendeve.