Search

Serbia synon të rrisë kapacitetet transmetuese të gazit me Bullgarinë

12 Mars, 2024


Serbia po planifikon rritjen e kapaciteteve të transmetimit të gazit me Bullgarinë në gazsjellësin që u inaugurua rishtazi, nga 1.8 miliardë metër kub në vit sa e ka kapacitetin aktualisht në 3.2 miliardë metër kub.

Gazsjellësi 170 kilometërsh ka filluar operimin në dhjetor, dhe ndërlidhë Novi Iskar të vendosur në perëndim të Bullgarisë drejt stacionit Trupale të vendosur afër qytetit të Nishit, dhe ndërlidhet me Korridorin Jugor të Gazit. Ndërtimi i gazsjellësit në vlerë prej rreth 85.5 milionë eurosh është financuar kryesisht nga BE.

Krahas rritjes së kapaciteteve të gazsjellësit, Serbia gjithashtu po konsideron ndërtimin e një kycjeje të re të gazsjellësit me qëllim ndërlidhjen e Nishit me Beogradin dhe kufirin në Hungari. Ky gazsjellës do të ndërlidhë terminalin e gazit të lëngshëm natyror në Aleksandropolis në Greqi me qendrën e gazit të Evropës Qendrore në Baumgarten në Austri.

Kryesuesi i Srbijagas, Dusan Bajatovic, ka thënë se gazsjellësi i ri Nish-Beograd-Hungari do të ketë kapacitet prej 4.7 miliardë metër kub. Projekti gjithashtu do të përfshijë ndërtimin e një ose dy stacioneve më të vogla.

Për më shumë, Serbia gjithashtu po planifikon ndërtimin e një gazsjellësi nga Nishi në Maqedoni të Veriut, si dhe një tjetër me Rumaninë që do të nisë nga Beogradi.