Search

Serbia miraton projektligjin për ndryshime klimatike

02 Mars, 2021


Qeveria e Serbisë ka miratuar projektligjin për ndryshime klimatike më shumë se dy vite e gjysmë pas mbajtjes së debatit publik.

Ligji për ndryshime klimatike në Serbi parasheh themelimin e një sistemi për zvogëlimin e gazrave serë si dhe mundëson përshtatjen ndaj ndryshimeve të kushteve klimatike, ka thënë Qeveria e Serbisë përmes komunikatës për media.

Në maj të vitit 2018, Ministria e Mbrojtjes së Mjedisit kishte shpallur debatin e hapur publik për të diskutuar draft ligjin për ndryshime klimatike, ndërsa pritjet ishin që ky ligj të miratohej nga parlamenti në të njejtin vit. Por që nga debati publik, Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë hap për miratimin e ligjit.

Qeveria në Serbi ka thënë se ligji përmbushë obligimet ndërkombëtare duke përfshirë edhe ato në Konventën e Kombeve të Bashkuara në Ndryshime Klimatike si dhe Marrëveshjen e Parisit, si dhe harmonizon kornizën ligjore në Serbi me kërkesat e Bashkimit Evropian.

Ligji parasheh edhe miratimin e strategjisë kombëtare për zhvillim të dekarbonizuar si dhe planin e veprimit me periudhë dhjetë-vjeçare.

Ligji përcakton kornizën ligjore për veprime tjera në zvogëlimin e emetimeve të gazrave serrë si dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, që është edhe një ndër pesë qëllimet strategjike të BE-së dhe baza për ndërtimin e ekonomisë së gjelbër, ka thënë Ministria.