Serbia do të rrisë rezervat e gazit me furnizim nga Rusia
June 07, 2024
Serbia planifikon të rrisë rezervat ekzistuese të gazit duke u furnizuar nga Rusinë. Kështu ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në transmetimin e Radio Televizionit të Serbisë.
“Aktualisht kemi 544 milionë metër kub gaz, nga të cilët 381 janë në objektin e magazinimit të Banatsky Dvor dhe 163 janë të depozituara në depo në Hungari. Duhet të rrisim vëllimet, duhet të flasim për këtë me miqtë tanë hungarezë. Ne duhet të rrisim rezervat, kështu që duhet ta diskutojmë këtë me rusët dhe me Azerbajxhanin”, tha Vuçiq.
Ambasadori rus në Serbi Aleksandër Botsan-Kharçenko theksoi më herët se “bashkëpunimi midis Moskës dhe Beogradit ka një nivel të lartë efektiviteti në kompleksin ushtarako-industrial, kujdesin shëndetësor dhe gjithashtu mund të marrë një shtysë tjetër në sektorin e energjisë këtë vit”.
Ai theksoi se “përmes Gazpromit priten projekte energjetike në sektorin e gazit”, të cilat “mund të fillojnë këtë vit dhe do të marrin zhvillim të mjaftueshëm, duke garantuar sigurinë energjetike të Serbisë”.
Ndër goditjet e para që Perëndimi i dha Rusisë për ta ndëshkuar për agresionin kundër Ukrainës ishte sanksionimi për resurset e gazit. Serbia nuk u radhit as për këtë çështje me vendet e Perëndimit.
Në mars 2022, si rezultat i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, BE vendosi sanksione ndaj Gazprom Neft.
Më 8 qershor, Kanadaja ndaloi shërbimet për industrinë ruse të naftës, minierave, gazit dhe kimikateve. Më 8 mars 2022, presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi ndalimin e importeve të naftës, gazit dhe qymyrit nga Rusia në Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu më 8 mars 2022, Shell njoftoi synimin e saj për t’u tërhequr nga industria ruse e hidrokarbureve.
/TheGeopost