Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit rreth sektorit të energjisë: Pozita dhe Opozita prekin tema të ndryshme
April 22, 2026
Ditën e djeshme në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë e jashtëzakonshme për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët.
Në këtë seancë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka ngritur akuza të rënda ndaj menaxhimit të sektorit energjetik dhe ka kërkuar hetim të pavarur nga Prokuroria Speciale. Ymeri tha se çmimi i energjisë elektrike është rritur në mënyrë të konsiderueshme, ndërsa sipas saj, kjo ka ndodhur pavarësisht rritjes së prodhimit vendor.
“E para për energjinë, çka dimë ne është që është rritur kostoja në masa të paparashikueshme më herët… në këtë skemë tashmë veç e kemi tejkaluar një miliard euro”, tha Ymeri.
Ajo shtoi se rritja e importit të energjisë ka ndodhur si pasojë e, siç u shpreh, keqmenaxhimit të sektorit dhe mosplanifikimit të prodhimit.
“Ka qenë keqmenaxhimi i sektorit, i komplet sektorit energjetik, duke filluar nga prodhimi e deri te inkriminimi i ZRRE-së”, deklaroi ajo.
Deputetja e LDK-së ngriti gjithashtu pretendime për ndikime politike në institucione dhe sektorin energjetik.
“Në këtë skemë… ku në zyrat ku bëhet faturimi i energjisë elektrike, është edhe vëllai i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti”, tha Ymeri.
Ajo e cilësoi situatën si problematike dhe kërkoi hetim të plotë të sektorit.
“Kjo maxhe e madhe e parasë dhe e hajnisë është mirë menaxhuar edhe me familjarë të tjerë të pushtetit”, u shpreh ajo.
Ymeri tha se duhet të ketë hetim të pavarur nga Prokuroria Speciale për gjithë sektorin energjetik, përfshirë edhe rolin e institucioneve rregullatore dhe KEK-ut.
“Është mirë të bëhet një hetim i pavarur plotësisht… që do të zbardhte krejt çka ka ndodhur në sektorin e energjisë elektrike”, deklaroi ajo.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës ka thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në sektorin e energjisë.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka deklaruar se kjo seancë është thirrur pas përkeqësimit të gjendjes në sektorin energjetik dhe mungesës së investimeve.
“Kemi përcjellë situatën e përgjithshme në sektorin e energjisë, mënyrën e menaxhimit dhe shkallën e investimeve në këtë sektor. Kemi ardhur në përfundim që jo vetëm ne si grup parlamentar, por edhe shoqëria civile dhe opozita në përgjithësi, që qytetarët po paguajnë një taksë jo meritore dhe se sektori energjetik është në situatë të jashtëzakonshme të rënduar në çdo dimension”, tha Shala.
Ai kritikoi qeverinë për menaxhimin e sektorit gjatë gjashtë viteve të fundit, duke theksuar se nuk ka pasur rritje të kapaciteteve prodhuese.
“Qeveria tash e 6 vite e ka menaxhuar këtë sektor me të njëjtën logjikë që është treguar e dështuar. Vendi nuk ka rritje dhe kapacitete prodhuese energjetike që e plotësojnë konsumin”, u shpreh ai.
Shala shtoi se Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i energjisë dhe përballet me rritje të çmimeve.
“Në këtë periudhë kemi pasur tri herë ngritje të çmimit të energjisë, dhjetëra afera korruptive dhe rreth 1 miliard euro importe të energjisë gjatë qeverisjes së Kurtit”, deklaroi ai.
Sipas tij, problem mbeten edhe mungesa e investimeve në energji alternative dhe në sektorin e minierave dhe thëngjillit.
LVV i kundërpërgjigjet Opozitës
Deputetja e LVV-së, Rozeta Hajdari, tha se një ditë më parë ka pranuar një letër nga Komuniteti i Energjisë, i cili kërkon që Kuvendi të procedojë sa më shpejt projektligjet për energjinë dhe energjinë elektrike.
“Jo më larg se dje pranova një letër nga Komuniteti i Energjisë që kërkoi që sa më shpejt Kuvendi të procedojë projektligjin për energjinë dhe elektrikën”, tha Hajdari.
Ajo kritikoi opozitën, duke iu drejtuar konkretisht deputetëve të PDK-së: “A është mirë që ne të brengosemi për reformat që t’i miratojmë në Kuvend apo të ngrehim narracion vetëm për një njehsorë elektrik? A është mirë që të shtyjmë reformat e zotuara që janë masa të planit të rritjes apo të bllokojmë miratimin e projektligjeve përmes mocioneve të mos miratuara?
Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, reagoi duke akuzuar qeverinë për keqmenaxhim dhe rritje të çmimit të energjisë.
“Të përgjigjem zonjës Hajdari… mendoj se është mirë me punu me ndershmëri e me etikë, e jo me bo skandale me rezerva shtetërore e me energji elektrike. Nuk e di pse po ju dhemb kaq shumë kjo temë”, tha Tahiri.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë.
“E vërteta është që qytetarët e Kosovës çdo muaj po paguajnë energjinë elektrike më shtrenjtë se muajt dhe vitet paraprake. Kjo është keq, turp dhe mungesë përgjegjësie, etike dhe korrektësie”, u shpreh Tahiri.
Debati u karakterizua me akuza të ndërsjella mes dy kampeve politike për menaxhimin e sektorit energjetik dhe vonesat në miratimin e reformave.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli: Çmimi i energjisë në Kosovë është më i ulëti në rajon.
Ministrja tha se gjatë vitit 2025 rryma ka qenë 8.17 cent/kW, ndërsa në Shqipëri ka qenë 11.6 cent, ose sipas saj, 41% më i shtrenjtë, në Maqedoninë e Veriut ka qenë 11.4 cent, 40% më i shtrenjtë së në Kosovë, ndërsa në Serbi 11 cent ose 25% më i shtrenjtë së në Kosovë.
Rizvanolli ka thënë se opozita po shpik gjëra e ndër to, sipas saj, ka qenë shifra e importit. Për numrat e importit ajo ka thënë se është rritur për shkak se “po bëhen investime që s’janë bërë për 40-60 vjet”.
“Siguria e furnizimit do të përmirësohet dhe do të rritet jetëgjatësia e termocentraleve për 20 vjet, dhe kjo sot bëhet me kosto shtesë minimale. Arsyeja pse është zgjedhur kjo rrugë ka qenë se ka qenë opsioni më i lirë që na mundëson që, me një rritje minimale prej 1–2 euro për megavat-orë që KEK-u e shet, të mund të mbulohen këto investime. Sivjet do të vazhdojnë investimet në bllokun B1 dhe vitin tjetër në vendosjen e filtrave që nuk janë bërë brenda 40 viteve”, theksoi ai.
Ajo tha se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar një profilizim të kostove gjatë dy viteve, duke qenë se sivjet është vit më i vështirë pasi Blloku B është jashtë funksionit për investime që rrisin prodhimin nga termocentrali dhe ulin ndotjen. Ndërkaq sipas saj, vitin tjetër situata pritet të jetë më e mirë, pasi pas investimeve në këtë njësi, apo edhe në njësi të tjera të A-së, prodhimi do të jetë më i lartë.
Rizvanolli shtoi se nëse në raportin e ZRRE-së, shihet se profilizimi është bërë sepse pritej që sivjet të kishte rritje dhe vitin tjetër me gjasë të kishte ulje.
/Telegrafi