Search

Scholz: Për shkak të luftës në Ukrainë, Gjermania duhet të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër

07 Korrik, 2022


Gjermania duhet të zbatojë më shpejt kalimin në energjinë e gjelbër për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, tha kancelari Olaf Scholz, duke shtuar se Rusia po përdor energjinë si armë politike.

“Gjermania është mbështetur shumë gjatë në furnizimet me energji nga Rusia dhe ka qenë shumë e njëanshme. Sot duhet të kuptojmë: Rusia po përdor energjinë si armë. Askush nuk beson se Rusia po redukton furnizimet e saj me gaz vetëm për arsye teknike.” tha lideri gjerman gjatë një conference të organizuar nga një shoqatë për burime të ripërtëritshme të energjisë në Gjermani.

Tani është një çështje e reduktimit të varësisë nga importet ruse të energjisë sa më shpejt të jetë e mundur pa vënë në rrezik sigurinë e furnizimit, tha Scholz.

Qeveria gjermane kishte filluar tashmë në një fazë të hershme planifikimin për “rastin më të keq”. Po mbushen objektet e depozitimit të gazit dhe po bëhen investime në terminalet e gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Rusia ka kufizuar rëndë furnizimet e gazit përmes tubacionit Nord Stream 1 të Detit Baltik, duke përmendur probleme teknike.

Ndërkohë, problemet mund të përkeqësohen. Puna vjetore e mirëmbajtjes në Nord Stream 1 gjithashtu fillon më 11 korrik dhe zakonisht zgjat 10 ditë. Shqetësimi i madh është se Rusia nuk do të hapë më rubinën e gazit pas përfundimit të mirëmbajtjes.

“Aktualisht po paguajmë një çmim shumë, shumë të lartë për varësinë tonë nga importet ruse të energjisë. Këtë e ndjejnë qytetarët dhe bizneset”, tha Scholz.

Sipas planifikimit, Bundestagu do të votojë të enjten për një pako gjithëpërfshirëse ligjesh për të përshpejtuar zgjerimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme.

“Çdo turbinë me erë, çdo impiant fotovoltaik, çdo impiant i biomasës është një hap në rrugën për ta bërë furnizimin tonë me energji më të pavarur dhe më të qëndrueshëm, duke u siguruar që ajo të jetë e sigurt dhe të mbetet e përballueshme”, tha Scholz.