Search

Saga e shtrenjtimit të energjisë vazhdon – ZRRE deklarohet se ngritja e çmimit është e domosdoshme, qytetarët organizohen për protestë

April 09, 2025


Nga nisma “Asnjë centë më shumë” pritet edhe protesta e radhës për kundërshtimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Siç ka njoftuar njohësi i çështjeve ekonomike, Shenoll Muharremi, protesta e radhës do të mbahet të premten më 11 prill.

Protesta pritet të nis nga ora 12 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

“Kjo shoqëri ka tepër nevojë me protestu. Demokracia ka ekzistu, po ma shumë në letra e për të fortin.. Nuk ka punu mjaft për qytetarin, e as për bizneset vendore. Tash po vjen koha me u ngrit për interesin publik, për energji të drejtë, për jetë më të mirë. Bravo djema e vajza! Kjo është patriotizëm, me luftu për qytetarin, për familjet, për bizneset”, ka shkruar Muharremi në Facebook.

Në anën tjetër ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se i ka propozuar Zyrës së Rregullatorit që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj.

Përtej kësaj shifre, ajo propozoi që konsumatorët të ndahen në më shumë kategori, duke u shmangur trajtimi i njëjtë për ata që kanë konsum të ndryshëm.

“Ne kemi kërkuar nga ZRRE që mos të ketë fare rritje për ata që konsumojnë deri në 800 kWh. Ndërsa për të tjerët, rritja të jetë sa më e vogël dhe konsumatorët të klasifikohen në blloqe të veçanta – të mos barazohet ai që harxhon 1000 kWh me dikë që harxhon 3000 kWh,” u shpreh Rizvanolli në një video-mesazh në Facebook.

Ajo shtoi se qëllimi kryesor është mbrojtja e familjeve dhe veçanërisht e atyre që kanë nevojë më të madhe, pa rrezikuar sigurinë e furnizimit me energji.

Megjithatë, Zyra e Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar se një rritje e çmimit është e paevitueshme.

“Vendimi për rritje do të merret nga mesi i këtij muaji, ndërsa tarifat e reja do nisin të aplikohen nga data 1 maj të këtij viti”, tha Petrit Pepaj nga ZRrE-ja gjatë një takimi me gazetarë.

Pepaj tha se arsyeja kryesore e propozimit për rritje të çmimit të energjisë elektrike, është për shkak të rritjes së çmimit në bursë.

Ai theksoi se ZRRE-ja është munduar që pavarësisht kostos, qytetarët të kenë energji elektrike dhe se ata nuk kanë dëshirë e as vullnet të vendosin pa arsye, barrë mbi qytetarët.

Bordi i ZRRE-së pritet të marrë vendim për çmimin e rrymës më 11 prill.

/Telegrafi