Rritje e mundshme e çmimit të energjisë – ZRRE njofton se ka pranuar kërkesë nga kompanitë energjetike
February 26, 2025

Kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike. Këtë e ka bërë të ditur, kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike, Ymer Fejzullahu.
“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave”, thotë Fejzullahu,për Radio Evropa e Lirë, por nuk saktëson se sa është kërkesa e tyre për rritje.
Aktualisht, thotë ai, ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve. Pas përfundimit të këtij procesi, ai thotë se ky institucion do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm edhe për konsultim publik.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3%. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800kWh brenda një muaji, çmimi i energjisë gjatë ditës është 7.79 centë/kW, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800kW, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800kW dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Ndaj rritjes së mundshme të çmimit të energjisë ka reaguar Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, duke akuzuar Qeverinë Kurti se në mandatin e kaluar ka dyfishuar çmimin e energjisë.
Bajrami ka thënë se tashmë ka raporte që sugjerojnë një tjetër rritje prej 35%. Kjo, sipas saj do të ishte një barrë e papërballueshme për qytetarët dhe bizneset.
Ajo ka shtuar se Qeveria Kurti ka dështuar në investimet e nevojshme për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike: “Në mandatin e kaluar, qeveria nuk ka bërë asnjë investim të ri në kapacitetet gjeneruese të energjisë. Qytetarët po paguajnë gjithnjë e më shumë për energjinë, por nuk ka asnjë MËh shtesë të prodhuar nga viti 2021,” tha Bajrami.
Sipas saj, kjo politikë ka lënë vendin të varur nga importi, ndërkohë që çmimet e energjisë janë rritur vazhdimisht.
Bajrami shtoi: “Asnjë projekt i ri për prodhimin e energjisë, asnjë investim në kapacitetet ekzistuese, dhe asnjë strategji për uljen e varësisë nga importi – kjo është puna e qeverisë deri tani.”
Nënkryetarja e LDK-së theksoi se Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka pranuar dhe po shqyrton kërkesat e kompanive për një rritje të mundshme të çmimit të energjisë nga 1 prill 2025 deri më 31 mars 2026.
Sidoqoftë, Bajrami ka theksuar se qeveria aktuale duhet të marrë qëndrim dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar këtë rritje të mundshme të çmimit.
“Ata duhet të deklarohen nëse do të lejojnë një rritje tjetër të çmimit të energjisë, apo do të marrin masa për ta parandaluar atë,” ka thënë Bajrami, duke shtuar se çdo rritje tjetër do të ishte një barrë e papërballueshme për shumicën e qytetarëve.
/Telegrafi