Search

Rizvanolli: Tranzicioni i drejtë energjetik, i vështirë për Kosovën

02 Korrik, 2021


Për të qenë i drejtë, tranzicioni i sektorëve të energjisë në shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet të bëhet gradualisht, kanë thënë pjesëmarrësit në konferencën mbi tranzicionin e energjisë të organizuar si pjesë e Forumit të Komunitetit të Energjisë për Tranzicion të Drejtë.

E të njejtit mendim është edhe Ministrja e Ekonomisë në Republikën e Kosovës, Artane Rizvanolli, e cila gjatë forumit ka thënë se vendimet duhen planifikuar në mënyrë të kujdesshme.

Gjatë forumit të organizuar nga Komuniteti i Energjisë, Ministrja Rizvanolli ka thënë se tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë do të jetë proces i vështirë, pasi sektori i qymyrit punëson mbi 7,000 individë dhe përbën 95% të gjenerimit të energjisë elektrike në vend.

Ministrja tha se vendimet duhet të planifikohen me kujdes dhe se mbështetja e BE-së është e një rëndësie thelbësore.

Ajo shtoi se bashkëpunimi rajonal në këtë proces është shumë i rëndësishëm, duke qenë se të gjitha vendet do të ballafaqohen me procese të njejta.

Kopac: Ballkanit Perëndimor i duhet një ‘Plan Marshalli’ për tranzicionin energjetik

Ndryshe, në fjalën e tij të hapjes në Forumin për Tranzicion të Drejtë Energjetik, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac tha se rrethanat ekonomike dhe sociale të vendeve të Ballkanit Perëndimor ndryshojnë nga ato të BE-së.

Ai tha se procesit të dekarbonizimit në Ballkanin Perëndimor i nevojitet një ‘Plan Marshalli’.

Kopac gjithashtu tha se në mungesë të çmimeve të karbonit, prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri në Ballkanin Perëndimor është në rritje ndërsa konsumi në rënie. Ai tha se energjia e tepërt e prodhuar po shitet në BE.

Sidoqoftë, sipas Kopac kjo praktike nuk mund të vazhdojë për kohë të gjatë, ndërsa ka kërkuar nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të prezantojnë çmimet e karbonit.

Të ardhurat nga taksa e karbonit duhen përdorur për qëllime të tranziconit, sikurse për investime në efiçiencë, energji të ripërtëritshme, transport të qëndrushëm dhe asistencë financiare për rajonet e qymyrit.

Ndryshe, të gjithë pjesëmarrësit në Forumin për Tranzicion të Drejtë Energjetik janë pajtuar se ky proces duhet të jetë transparent dhe gjithpërfshirës.