Search

Rizvanolli: Situata për momentin e mirë, por duhet të jemi të përgatitur për më të keqën

04 Nëntor, 2022


Për momentin situata me furnizim është stabile, kjo për shkak të motit të mirë të ditëve të fundit, uljes së konsumit si dhe prodhimit në vend nga KEK, ka thënë ministrja Artane Rizvanolli në Context të ATV-së mbrëmë.

“Gjithashtu synojmë që përmes masave të ndryshme që nxisin kursimin e energjisë, të nxisim qytetarët dhe të shpërblejmë ata që kursejnë energji. Dhe siç e kemi thënë edhe më herët, një prej faktorëve kryesorë në afat të shkurtër që mund të bëhet është nga njëra anë të ulet konsumi i energjisë, dhe nga ana tjetër të sigurohemi që prodhimi nga burimet tona, veçanërisht nga KEK-u, të jetë stabil”, tha Ministrja Rizvanolli.

Ajo shtoi se mesatarisht konsumi i rrymës në Kosovë në nëntë muajt e parë të këtij viti kishte shënuar ulje prej 6.4%, ndërsa ka shtuar se dimri është ende i paparashikueshëm, dhe se duhet të jemi të përgatitur për më të keqën.

“Dimri është ende i paparashikueshëm, lufta në Ukrainë ende vazhdon. Rusia specifikisht po e targeton infrastrukturën energjetike të Ukrainës, e Ukraina është një nga prodhuesit më të mëdhenj energjetik të Evropës. Jemi duke hyrë në dimër të paparashikueshëm, por momentalisht gjendja po duket e mirë”, ka thënë Ministrja.

Në rastin më të mirë, A5 rikthehet në fund të dhjetorit ose në janar të vitit tjetër

Ministrja Rizvanolli ka falenderuar punëtorët e KEK-ut që po bëjnë të pamundurën për të mundësuar prodhimin. Ajo ka thënë se pritjet janë që katër njësi do të jenë funksionale gjatë dimrit.

“Blloku B ishte verës jasht funksionit për t’u përgatitur për dimër. Aktualisht, në kohën që po flasim, remontet kapitale janë kryer në dy blloqe të TEC Kosova A, në A3 dhe A4. Dhe në dy blloqe të TEC Kosova B. Këto dy tri ditët në vijim një bllok i TEC Kosova B do të jetë jasht funksionit për shkak të një revizioni të rregullt. KEK ka vendosur ta bëjë këtë tani për shkak se moti është më i mirë. Këto katër blloqe presim ti kemi aktive edhe gjatë dimrit”, ka thënë Ministrja Rizvanolli në Context të ATV-së.

Ajo ka ripërsëritur se bëhet fjalë për kapacitete të vjetra të prodhimit të rrymës, dhe është fatkeqësi që gjatë krizës duhet mbështetur në kapacitete kaq të vjetra.

Sa i përket njësisë A5, Rizvanolli ka sqaruar se është ndalur më 19 korrik për shkak të një zhurme. Ministrja ka përsëritur se bëhet fjalë për njësi që ka tejkaluar jetëgjatësinë dhe orët e lejuara të punës, dhe se në rastin më të mirë, kjo njësi do të rikthehet në prodhim në fund të dhjetorit apo fillim të janarit.

“KEK është duke parë edhe mundësitë përmes konsulencës së ekspertëve gjerman që ky bllok të kthehet sa më shpejtë që është e mundur, në rastin ideal deri në fund të dhjetorit apo fillim të janarit, në mënyrë që ta kemi edhe këtë bllok në dispozicion”, ka thënë Ministrja.

KEK ka tejkaluar planin e prodhimit këtë vit, blerja e energjisë paraprakisht përmes kontratave afatgjate është një “mit” i zbuluar nga opozita

Në lidhje me prodhimin e rrymës në vend, Ministrja ka thënë se prodhimi në vend nga KEK ka tejkaluar planin për rreth 1.2%.

“KEK akuzohet çdo ditë, shpesh pa të drejtë, ndonjëherë pjesërisht me të drejtë. Kosova A gjatë këtij viti e ka realizuar planin e prodhimit 96%, ndërsa Kosova B 108%. Prodhimi në vend e ka tejkaluar planin për rreth 1.2%”, ka thënë Ministrja.

Ajo ka shtuar se prodhimi po ndihmohet në masë të madhe edhe nga turbinat e erës të vendosura nga ndërmarrja SOËI Kosovo në Selac.

“SOËI në Selac, elektrana me erë, e ka realizuar planin e prodhimit me 99%. Gjatë dimrit ka momente kur prodhon në maksimum të kapacitetit, dhe kjo është një ndihmesë e madhe”, ka shtuar Ministrja.

Ndërsa, sa i përket rrymës përmes kontratave afatgjate, Ministrja Rizvanolli ka thënë se ky është një mit i zbuluar nga opozita vjet.

“Jemi në një situatë ku e gjithë Evropa po e pret dimrin më të vështirë ndonjëherë energjetik. Të gjithë po presin cmime marramendëse, dhe opozita po thotë pse nuk ditët me bë një kontratë me cmime të lira në verë ose tani? Kush është ai që do ta shiste energjinë me cmime të lira, duke pritur që brenda muajit mund të arrijë në 1000 euro ose më shumë?”, ka thënë Ministrja.

Pagesa e rrymës në veri, pagesë për sovranitetin e Kosovës

Në Context të ATV-së Ministrja Rizvanolli ka thënë se po vazhdon zbatimi i udhërrëfyesit. Ajo ka thënë se për momentin, KEDS ka dërguar draft kontratë tek Elektroseveri për nënkontraktimin e disa shërbimeve të distribucionit, siç parashihet edhe me marrëveshjen dhe udhërrëfyesin.

“Pagesat në veri janë pagesa për sovranitetin e Kosovës. Kemi një përparim në realizimin e udhërrëfyesit dhe presim gjatë ditëve në vijim që palët të jenë racionale dhe të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që faturimi dhe inkasimi të fillojë sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Ministrja Rizvanolli.

Ajo ka thënë se Qeveria do të bëjë pagesën, dhe rrjedhimisht, do të ndalojë së bëri pagesat sipas udhërrëfyesit, por se janë duke u parë mundësitë se si të bëhet pagesa e konsumit në veri.

“KOSTT faturohet për imbalance, por për mënyrën e pagesës do të shofim mundësitë edhe prej sigurisht konsumatorëve. Jemi duke biseduar edhe me partnerët ndërkombëtar sepse ata janë fascilitues dhe garantues të kësaj marrëveshje”, ka thënë Ministrja Rizvanolli në Context të ATV-së.

136 mijë megavat orë të deponuara në Shqipëri, pjesën më të madhe do ta marrim deri në mars

Ministrja Artane Rizvanolli ka folur edhe për shkëmbimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Ajo ka thënë se aktualisht, Kosova ka të deponuara rreth 136 mijë megavat orë energji elektrike në Shqipëri.

Ministrja Rizvanolli ka thënë se pjesa më e madhe e kësaj energjie të deponuar do të merret gjatë muajve më të ftoftë të dimrit.

“Aktualisht kemi rreth 136 mijë megavat orë të deponuara në Shqipëri, dhe qëllimi është që pjesën më të madhe të kësaj ta marrim në muajt më të ftoftë të dimrit, deri në mars. Njëfar indikacioni është që 70% më së paku të merret deri në mars të 2023”, ka thënë Ministrja në Context të ATV-së.

Ngrohja është problemi kryesor që kemi, të njejtën e targetuam këtë vit

Ministrja ka thënë se përdorimi i rrymës për ngrohje gjatë dimrit është ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë, andaj Ministrja përmes aktiviteteve të ndryshme këtë vit ka targetuar ngrohjen.

“Në disa raste kjo është më e lehtë për ta bërë, në raste kur vec kemi inauguar vjet ngrohtoren e qytetit në Gjakovë, sivjet e kemi subvencionuar me 250 mijë në fillim të vitit, kemi shtuar edhe 350 mijë euro buxhet shtesë, dhe do të shtojmë edhe 140 mijë të tjera, në mënyrë që ngrohtorja e Gjakovës të funksionojë pa problem gjatë sezonit dhe të mos ketë nevojë të rrisë cmimet për qytetarët”, ka thënë Ministrja.

Ministrja ka sqaruar se nëse askush nuk do të përdorte energjinë për ngrohje, kërkesa për rrymë në Kosovë do të mbulohej pa problem.

“Edhe nëse reduktohet përdorimi I energjisë për ngrohje, problem do të zbutej. Andaj, qëllimi ynë ka qenë që të ndihmojmë qytetarët dhe ti nxisim ata që të zëvendësojnë ngrohjen me energji elektrike, sidomos me pajisje jo-eficiente, me pajisje eficiente sic janë pompat termike apo kondicionerët inverter, ose edhe me forma tjera sikurse kaldajat me biomasë apo stufat individuale”, ka sqaruar Ministrja.

Do të ripublikohet thirrja për subvencione, me disa ndryshime

E për të zbutur problemet me ngrohje, Ministria e Ekonomisë ka ftuar qytetarët të aplikojnë për subvencione për të rritur efiçiencën e pajisjeve të ngrohjes.

“Interesimi ka qenë shuëm i madh. Kanë aplikuar 5992 persona vetëm për gjashtë ditë. Procesi i aplikimit ka qenë i shkurtë, i thjeshtë, i qartë, transparent dhe secili qytetar e ka pasur shumë të thjeshtë përfitimin”, ka sqaruar Ministrja.

Për shkak se interesimi ishte i madh, thirrje e ngjashme do të ripublikohet edhe në ditët në vijim, me disa ndryshime pas kërkesave të konsumatorëve.

“Me kushtet aktuale kanë qenë të përjashtuara familjet që kanë hyrë për herë të parë në shtëpi apo banesë, dhe nuk kishin faturë të vitit të kaluar për të bërë krahasimin. Në thirrjen e re do të përfshijmë edhe familjet e reja që kanë rexhistruar orën për herë të parë gjatë këtij viti”, ka sqaruar Ministrja.

Kosova përfitoi shumën më të madhe të përkrahjes nga BE, rreth 43 euro për kokë banori

Në vizitën e saj të fundit, Presidentja Von der Leyen kishte konfirmuar një grant prej 75 milion eurosh për të ndihmuar Kosovën në krizën energjetike.

Ky grant sipas Ministres Rizvanolli, është shuma më e madhe që ka përfituar ndonjë vend nga BE për kokë banori për krizën energjetike, apo rreth 43 euro.

Ministrja ka thënë se është kërkuar ndihmë shtesë dhe se disa vende kanë shprehur interesimin për përkrahje. Ajo ka thënë se përvec krizës, është kërkuar ndihmë edhe për disa projekte që janë duke ardhur, duke përfshirë edhe projekte të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

“Në të njejtën kohë, gjatë takimit të procesit të Berlinit është kërkuar ndihmë shtesë, edhe nga BE dhe Gjermania, dhe edhe aty kemi sinjale paraprake pozitive. Gjermania është e gatshme të zhvillojë një lloj partneriteti për energji. Ne kemi thënë se për një shtet si Kosova ndihma është e domosdoshme për të tejkaluar krizën, mirëpo, gjithashtu kemi nevojë edhe për më shumë ndihmë dhe përshpejtim të projekteve që janë duke ardhur, sikur ato për ngrohjen qendrore në Prishtinë, të fillojmë sa më shpejtë me investime edhe në rrjete dhe në ngrohje të qytetit edhe në komuna tjera. Pastaj, projekte solare, e të tjera, kemi kërkuar që këto të mundësohen sa më shpejtë që është e mundur. Ne si shtet me kapacitetet tona, jemi duke përshpejtuar investimet në eficiencë dhe në BRE, por presim edhe ndihmën e partnerëve tonë që këto investime të realizohen sa më shpejtë”, ka thënë Ministrja Rizvanolli.

Ankandet për burime solare këtë vit, për ato të erës vitin tjetër

Ministrja Artane Rizvanolli ka folur edhe për zhvillimin e burimeve të riëprtëritshme të energjisë. Ajo ka ripërsëritur se qeveria mëton të sjellë procese konkurruese dhe transparente të ankandeve për zhvillim të projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, në të cilat mund të aplikojnë investitorët e interesuar.

“Ne kemi thënë që nga dita e parë që investitorët do të konkurojnë në ankande, në mënyrë transparente. Çmimi më i lirë do të fitojë dhe ne do ta blejmë atë energji për konsumatorët tonë. Ankandin e parë do ta lansojmë sivjet në dhjetor për energji solare, ndërsa për energji të erës, ankandin do ta lansojmë vitin tjetër”, ka thënë Ministrja Rizvanolli.

Ministrja ka thënë se ankandi i parë për burime solare do të bëhet për 100 megavat orë kapacitete, ndërsa kapacitete të njejta pritet të ndahen edhe për burimet e erës.

Ajo ka shtuar se detajet, duke përfshirë edhe kapacitetet që do të ndahen, ende nuk janë vendosur.

KEK po bën përgatitjet për revitalizim të plotë të një njësie, nuk do të ketë termocentrale të reja

E në lidhje me të ardhmën energjetike të Kosovës, Ministrja ka ripërsëritur se është përgatitur strategjia energjetike, dhe se e njejta duhet dërguar në qeveri dhe pastaj në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Ajo ka thënë se edhe në mungesë të miratimit të strategjisë, Ministria ka vijuar zbatimin e politikave dhe aktiviteteve që janë në përputhje me synimet e së njejtës.

“Strategjia është e gatshme, duhet të dërgohet në qeveri për miratim dhe pastaj në kuvend. Puna për zbatimin e saj veçse ka filluar. Strategjia në afat të shkurtër është në përputhje me synimet tona afatgjate. Ckado që po bëjmë tani, janë në përputhje me strategjinë tonë afatgjatë”, ka sqaruar Ministrja Rizvanolli.

Ajo ka thënë se nuk do të ketë rikthim të projekteve të vjetra për ndërtim të termocentraleve të vjetra, por se investime do të bëhen në njësi të Kosovës A dhe Kosovës B, të cilat kapacitete do të mbahen në formë të rezervave strategjike, për t’u përdorur në sezonin e dimrit, apo në momente krizash.

“Duhet të jemi realist, dhe të dijmë që thëngjillin në afat të shkurtër nuk mund t’a largojmë, andaj duhet të mundohemi që kapacitetet që I kemi aktualisht të jenë në gjendje sa më të mirë, të jenë sa më eficiente dhe më pak ndotëse për ambientin, si dhe më të sigurta në mënyrë që ndaljet e paplanifikuara të mos na ndodhin. Rikthimi I projekteve të vjetra nuk është opcion. Megjithatë, duhet të kemi një sasi për kërkesën bazë prej thëngjillit, që duhet të jetë aty”, ka thënë Ministrja Rizvanolli.

Përkundër këtyre investimeve, Ministrja Rizvanolli ka ripërsëritur se rruga drejt BRE-ve dhe rritjes së efiçiencës së energjisë është tanimë dicka e vendosur.

“Strategjia është më e mira që mund të bëhet në kushtet që jemi. Ajo nuk duhet të shihet si dicka e shkruar në gurë, ose dicka që do të zgjidhë problemet plotësisht në 50 vitet e ardhshme. Teknologji të reja po zhvillohen cdo ditë, dhe është një sektor tejet inovativ. Ne e kemi rrugën e qartë, duhet të kemi siguri të furnizimit dhe më shumë eficiencë dhe BRE, dhe në të gjitha këto jemi duke punuar. Me kalimin e kohës dhe teknoloigjitë e reja që gjithnjë e më shumë po bëhen fizibile teknikisht dhe ekonomikisht, pas 15 vitesh fotografia mund të ndryshojë prapë plotësisht. Mirëpo rruga drejt BRE-ve dhe eficiencës së energjisë është dicka në të cilën jemi të sigurtë”, ka thënë Minsitrja.