Search

Rizvanolli: Formulimi në thirrjen për rindërtim të Kosovës A nuk ka qenë më i duhuri

17 Shtator, 2021


Sot në konferencën për media të organizuar për të diskutuar zhvillimet e fundit të sektorit të energjisë në Kosovë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli foli edhe për procesin e përfolur të rindërtimit të termocentralit Kosova A.

Ajo tha se procedurat e inicuara nga bordi i KEK kanë për qëllim të vlerësojnë dhe analizojnë gjendjen teknike të Kosovës A, dhe jo domosdoshmërisht rindërtimin e këtij termocentrali.

Ndryshe, në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 17 gusht 2021, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve (BPD) të Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë disa vendime të rëndësisë së veçantë për zhvillimin strategjik të korporatës.

KEK vazhdon procedurat për rindërtimin e termocentralit ‘Kosova A’

Lexo më shumë

Ndër vendimet e para të BPD të KEK është përgatitja e draft dokumentit Teknik lidhur me Termocentralin Kosova A dhe përgatitja e draft letrës për shprehjen e interesit lidhur me rindërtimin e saj.

Por sipas Ministres, formulimi i bordit të KEK në thirrje ‘nuk ka qenë më i duhuri’. Ajo ka shtuar se bëhet fjalë për thirrje që ka për qëllim të vlerësojë dhe analizojë gjendjen teknike në Kosovën A.

‘Për të parë në rradhë të parë nëse mënyra se si operon është e sigurtë për punëtorët që punojnë aty. Siguria e punëtorëve dhe shëndeti i punëtorëve është brenga e parë sa i përket Kosovës A, si e jona si qeveri, edhe e bordit të KEK-ut’, ka sqaruar tutje Ministrja.

Ndërsa ka sqaruar se në Kosovën A investohet çdo vit, Ministrja Rizvanolli ka thënë se në bazë të analizës së re do të vendoset nëse duhet investuar në mënyrë më afatgjate.

Ajo ka ripërsëritur se rindërtimi nuk është prioritet, por mund të bëhet nëse analizat kërkojnë një gjë të tillë.