Search

KEK-u e rrit çmimin e energjisë për KEDS-in, KESCO-n dhe KOSTT-in

18 Mars, 2024


Çmimi që prodhohet në termocentralet e KEK-ut do të rritet për 2, respektivisht 3 euro gjatë vitit 2024. Ani se aktualisht KESCO blen një megavat energji nga KEK-u për 29.50 euro, nga 1 prilli ai do të rritet në 31.50 euro. Rritje të çmimit do të ketë edhe për KEDS-in dhe KESCO-n për 3 euro. ZRRE-ja thotë se kjo kosto do të reflektohet në tarifat e energjisë, të cilat do të hyjnë në fuqi nga 1 prilli. Ende nuk dihet nëse do të ketë rritje apo ulje të çmimit të rrymës.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) e ka rritur çmimin e energjisë që e shet për KESCO-n, KEDS-in dhe KOSTT-in për dy, respektivisht tri euro për megavat të energjisë.

Ani se aktualisht çmimi i një megavati të energjisë që KESCO e blen nga KEK-u është 29.50 euro, që nga 1 prill i 2024 deri më 31 mars 2025 ai do të jetë 31.50 euro për megavat.

Çmimi pritet të rritet edhe për KOSTT-in dhe KEDS-in. Nga 36 euro për megavat, sa është aktualisht, ai do të rritet në 39.10 euro për vitin e ri tarifor.

Rritjen e çmimit të energjisë KEK-u e ka arsyetuar me rritjen e kostos së prodhimit dhe inflacionit.

“Duke marrë në konsideratë faktin që përgjatë periudhës 2021 deri në 2023 tarifat e KOSTT-it për OS dhe OT janë rritur në vazhdimësi dhe kjo rritje ka prodhuar efekt direkt në koston e prodhimit të energjisë elektrike për KEK-un dhe në anën tjetër rritja e inflacionit, e cila ka prodhuar efektin e rritjes së çmimeve për të gjitha produktet dhe shërbimet që ndikojnë në koston e prodhimit të energjisë, bazuar në analizat e brendshme të KEK-ut, është vlerësuar se rritja e çmimit të energjisë elektrike për të mbuluar të gjitha kostot e prodhimit është e pashmangshme”, thuhet në vendimin e KEK-ut.

KEK-u ka kërkuar nga ZRRE-ja që në të hyrat maksimale të lejuara për KEDS-in, KESCO-n dhe KOSTT-in të përfshihet rritja e çmimit.

“Çmimi i energjisë elektrike i propozuar nga KEK-u për vitin tarifor 2024/2025 është pak më i lartë se çmimi aktual me të cilin furnizohet KESCO, mirëpo është dukshëm më i ulët krahasuar me çmimet e tregut në vend dhe rajon”, kanë vlerësuar zyrtarët e KEK-ut.

Por, ZRRE-ja në raportin konsultativ ka përdorur çmimet aktuale që KEK-u ka me këta operatorë ekonomikë.

“Siç dihet, ZRRE-ja nuk rregullon çmimet e KEK gjenerimit që nga viti 2017, andaj duke qenë se në këtë fazë gjatë procesit të konsultimit publik, OSSH-ja nuk ka ofruar marrëveshjen e përditësuar për blerje të energjisë nga KEK-u, ZRRE-ja ka përdorur atë të çmimit aktual. Sidoqoftë, kurdo që palët rishikojnë marrëveshjet e tyre, duke respektuar parimet e përcaktuara në kornizën ligjore dhe rregullative, ZRRE-ja do të reflektojë kostot e tilla në blerjet e energjisë me shumicë”, theksohet në raport.
Rritja e çmimit të energjisë së prodhimit do të ndikojë në tarifat e energjisë elektrike, të cilat pritet të përcaktohen gjatë këtij muaji dhe të hyjnë në fuqi nga 1 prilli.

Por, pasi çmimet e importit pritet të jenë më të ulëta dhe sasia e importit po ashtu parashihet të jetë më e vogël, nuk parashihet që të ketë rritje të çmimit të energjisë për 2024-n.

/Koha.net