Rikthehet në prodhim B2-shi, gjendja energjetike në Kosovë mbetet e brishtë ende
19 Gusht, 2024
Tani në prodhim janë njësitë A3 dhe A5 të Kosovës A dhe blloku i rikthyer B2, me gjithsej kapacitet rreth 520 megavatësh.
Edhe më tutje mungon energjia elektrike nga termocentralet e vendit, që do të mjaftonte për ta furnizuar konsumin në rritje gjatë këtyre ditëve me temperatura tropikale, që në kohën e pikut ka arritur te 800 megavatëshi.
Të mërkurën (24 gusht 2024), diku rreth orës 18:00 është rikthyer në funksion blloku B2 i termocentraleve Kosova B. Kjo njësi prodhuese e termocentraleve tona ekzistuese më të fuqishme për nga kapaciteti, siç dihet, kishte rënë nga procesi i prodhimit, një ditë më parë, për shkak të rrjedhjeve në kazan. Dhe, si pasojë e rënies nga prodhimi të kësaj njësie prodhuese të termocentraleve Kosova B, me kapacitet 260 megavatësh (blloku B1, me po të njëjtin kapacitet, siç dihet, është në riparim të planifikuar), të martën dhe të mërkurën ishte keqësuar ndjeshëm gjendja elektroenergjetike në Kosovë nga mungesa e rrymës. Ndërsa, në këto dy ditë, dje dhe pardje pra, kushtimisht është importuar sasi e madhe e energjisë elektrike për të furnizuar konsumin e Kosovës në rritje me rrymë.
Sipas zyrtarëve të KEDS-KESCO-s, gjatë një periudhe të caktuar të ditës së djeshme, ose gjatë disa orëve të caktuara të ditës së mërkurë janë importuar diku rreth 2 mijë megavatë-orë rrymë për të zbutur mungesën e prodhimit nga termocentralet e vendit dhe për të minimizuar sa më shumë reduktimet. Zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti ka thënë se në periudhën 1 deri më 12 gusht në Kosovë, KESCO ka shpenzuar reth 5,5 milionë euro për import të energjisë së munguar.
Duhet thënë se megjithë rikthimin relativisht të shpejtë në operim të bllokut B2 të Kosovës B, që do të thotë pasjes plus të 260 megavat-orëve të energjisë elektrike (kaq është kapaciteti prodhues i B2-shit) dhe energjisë së prodhuar në njësitë e termocentraleve Kosova A, gjendja elektroenergjetike në Kosovë mbetet ende e brishtë. Edhe më tutje mungon energjia elektrike nga termocentralet e vendit, që do të mjaftonte për ta furnizuar konsumin në rritje gjatë këtyre ditëve me temperatura tropikale.
Më konkretisht, 260 megavatë nga B2-shi (riparimet e planifikuara në njësinë B1 të Kosovës B, sipas zyrtarëve të KEK-ut, parashihen të mbyllen brenda disa ditësh, ose më saktësisht më 18 gusht) dhe prodhimi A3 dhe A5 të termocentraleve Kosova A, që është diku rreth 260 megavatë, ose secili bllok nga 130, nuk mjaftojnë për të furnizuar konsumin në rritje të Kosovës. Sepse, sipas zyrtarëve të KESCO-s, këtyre ditëve është rritur goxha ndjeshëm shpenzimi i energjisë elektrike si rrjedhojë e temperaturave ekstremisht të larta.
Sipas zëdhënëses së KESCO-s, Margarita Rashiti, këto ditë konsumi në orët e pikut ka arritur te 800 megavatëshi. Ndërsa sipas llogarive të kapaciteteteve prodhuese të sipërpërmendura, del që gjithsej prodhimi i termocentraleve të vendit (B1 dhe A3 e A5) të jetë rreth 520 megavatë-orë. Dhe, prapë nga llogaritë, del se Kosovës aktualisht i mungojnë diku rreth 250 deri 280 megavatë energji elektrike për t’i plotësuar nevojat e konsumit vetanak. Dhe kjo sasi e rrymës së munguar kushtimisht po importohet nga tregjet ndërkombëtare të rrymës, kur çmimet e ndikuara nga kërkesat në rritje për rrymë, janë ngritur ndjeshëm.
Dhe, në saje të importit të energjisë elektrike sot, ndër kunsumatorë, së paku ndër ata kryeqytetas, nuk është duke u ndier edhe aq shumë mungesa e rrymës, për shkak se KEDS-KESCO kanë importuar një sasi të madhe të energjisë elektrike. Ndërsa të mërkurën në një pjesë të mirë të ditës, ose më saktësisht nga ora 14 e 30 minuta e deri në orët e vona, një pjesë e madhe e Prishtinës ka qenë në terr energjetik.
/Buletini Ekonomik