Search

Raporti i Parlamentit Evropian për Kosovën me shumë kritika për sektorin e energjisë, kërkon mbylljen e Kosova A

11 Mars, 2021


Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian, të martën u votua për amendamentet e shumta në raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola von Cramon si dhe raporti në tërësi.

Gjatë debatit, disa deputetë shprehën kundërshtimin e tyre lidhur me thirrjen që pesë shtetet e bllokut ta njohin Kosovën si dhe që BE-ja të liberalizojë vizat për shtetasit e Kosovës.

Në raportin që ka paraqitur raportuesja për Kosovën, Von Cramon, qysh në dhjetor të vitit të kaluar, para se të dihej se në Kosovë do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme, ishte shprehur pakënaqësi për mungesën e progresit në zbatimin e agjendës së reformave evropiane, në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të ligjit.

Në raport janë spikatur edhe shqetësimet për sektorin e energjisë elektrike dhe për varësinë e Kosovës ndaj qymyrit dhe dëmet që sektori po i shkakton mjedisit.

‘Raportuesja është shumë e shqetësuar për varësinë e sistemit energjetik në thëngjill dhe cilësinë e ajrit në Kosovë, ndër tjerash; cilësia e ajrit është në nivelet më të kqija në Evropë dhe shkakton numrin më të madh të vdekjeve të parakohshme. Kosova duhet të harmonizojë përkushtimet dhe të ndryshojë miksin energjetik në më të qëndrueshëm dhe më pak të dëmshëm në pajtim me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane’, thuhet në raportin për Kosovën.

Kosova duhet të përkushtohet në zbatimin e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane për Ballkanin Perëndimor

Në raport, Parlamenti Evropian ka ripërsëritur thirrjet për Kosovën që të sigurojë përputhshmërinë me standardet e BE-së dhe objektivat politike për mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, në vijë me përkushtimet nën Marrëveshjen e Parisit dhe objektivin strategjik për neutralitet ndaj karbonit deri në vitin 2050 si pjesë e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Parlamenti ka kërkuar nga Kosova të punojë në zbatimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, që pasqyron prioritetet e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Ndryshe, përmes raportit Parlamenti Evropian ka thënë se ka mirëpritur rezultatet e samitit të Ballkanit Perëndimor të mbajtur më 10 nëntor 2020 në Sofje në kuadër të procesit të Berlinit, dhe vazhdon përkrahjen e iniciativave për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore në rajon.

Në veçanti, Parlamenti ka mirëpritur gatishmërinë e udhëheqësve të ndërmarrin masa për të mundësuar përafrimin me politikat e BE-së për neutralitet ndaj karbonit deri në vitin 2050.

BE e shqetësuar me varësinë e Kosovës ndaj qymyrit dhe planet për ndërtimin e termocentralit të ri

Në raportin për Kosovën, Parlamenti Evropian ka thënë se është shumë i shqetësuar me faktin se sasi e madhe e energjisë në Kosovë vjen nga qymyri, si dhe mbi planet për ndërtimin e termocnetralit të ri.

‘Kosova duhet të rrisë qëndrueshmërinë e sektorit të energjisë duke diversifikuar burimet energjetike, duke larguar menjëherë të gjitha subvencionet e papërputhshme të qymyrit, duke decentralizuar pdohimin e energjisë dhe duke u drejtuar drejt burimeve të ripërtëritshme’, thuhet në raport.

Raporti thekson edhe nevojën e përputhshmërisë së kornizës ligjore me direktivat e BE-së për impiante me emetime të mëdha dhe emetime industriale, dhe kërkon zhvillimin e vlerësimeve të ndikimit në mjedis sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe miratimin e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe ruajtjen e zonave të ndijshme mjedisore.

Kosova të fillojë përgatitjet për dekomisionimin e termocentralit Kosova A, Komisioni Evropian do të mbështesë procesin

Edhe në raportin e fundit të publikuar, Parlamenti Evropian ka ripërsëritur thirrjet për mbylljen e termocentralit Kosova A.

‘Parlamenti kërkon nga autoritetet e Kosovës të përmbushin përkushtimin e tyre për mbylljen dhe dekomisionimin e termocentralit Kosova A dhe mirëpret vullnetin e Komisionit Evropian për të mbështetur financiarisht dhe teknikisht Qeverinë e Kosovës në këtë proces’, thuhet në raport.

Parlamenti Evropian është shprehur i shqetësuar me shkallën e lartë të vdekjeve të parakohshme për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga emetimet që tejkalojnë kufizimet dhe ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të ballafaqohen me ndotjen e ajrit menjëherë dhe të zhvillojnë plane kredibile për të larguar qymyrin.

Në lidhje me këtë, Parlamenti Evropian i është gëzuar paralajmërimit të ndryshimit të Strategjisë së Sektorit të Energjisë dhe ka kërkuar zbatimin e Planit Nacional për Zvogëlim të Emetimeve (NERP).

Kosova duhet të miratojë ligjin për ndryshime klimatike dhe planin kombëtar për energji dhe klimë sa më shpejtë që është e mundur

Në raport, ata kanë rikujtuar se prioritizimi i masave të efiçiencës së energjisë, duke përfshirë edhe zëvendësimin e burimeve të ngrohjes qendrore në sisteme me energji të ripërtëritshme apo kogjenerim është faktor kyç në arritjen e synimeve klimatike.

‘Kosova inkurajohet të prioritizojë kornizën ligjore mbi mjedisin dhe standardet e biodiversitetit në pajtim me acquis të BE-së, si dhe të promovojë vetëdijen mjedisore dhe edukimin tek qytetarët e Kosovës. Raporti inkurajon Kosovës të miratojë ligjin për Ndryshime Klimatike sa më shpejtë që është e mundur, dhe zhvillimin dhe miratimin e planit të integruar kombëtar për energji dhe klimë (NECP) menjëherë’, thuhet në raport.

Përmes raportit, Parlamenti Evropian kërkon nga Kosova të rrisë mbulueshmërinë e shërbimeve të mbledhjes së mbeturinave si dhe të përmirësojë procesin e ndarjes dhe riciklimit të mbeturinave.

Kosova mund të prezantojë masa të ekonomisë cirkulare për të zvogëluar mbetjet dhe për të adresuar deponitë ilegale, si dhe të gjejë mënyra për largimin e mbeturinave të rrezikshme.

Parlamenti Evropian kërkon të mos rrezikohen burimet e pakta ujore nga hidrocentralet

Në raport, padyshim që nuk janë lënë anash edhe problemet e Kosovës me burime ujore dhe ndërtimin e hidrocentraleve. Në raport kërkohet që hidrocentralet nuk duhet të rrezikojnë burimet e pakta ujore të Kosovës.

‘BE është e shqetësuar për sasitë e vogla të burimeve të ujit dhe thërret autoritetet e Kosovës të respektojnë zonat special dhe të mbrojtura natyrore gjatë planifikimit të hidrocentraleve, dhe të mos rrezikojë qëndrueshmërinë e burimeve ujore’, thuhet në raport.

Në raportin për Kosovën është kërkuar edhe zbatimi i plotë i Traktatit të Komunitetit të Energjisë duke përfshirë edhe zbatimin e kornizës për ndihmë shtetërore dhe hapjen e plotë të tregut kombëtar të energjisë elektrike dhe integrimin rajonal.

Në listën e gjatë dhe ndër paragrafët e shumtë dedikuar sektorit të energjisë në raportin e aprovuar nga Parlamenti Evropian, është bërë thirrje edhe për zbatimin e politikave të transportit të qëndrueshëm.

Raporti ka mirëpritur miratimin e IPA Programit Vjetor të Verpimit për Kosovën në vlerë prej 90 milion eurosh, por insiston se programi duhet të promovojë agjendën e gjelbër duke fuqizuar mbrojtjen e mjedisit dhe përshpejtimin e procesit të largimit të karbonit.

Raportin e plotë në gjuhën angleze mund t’a lexoni duke klikuar këtu.