Search

Termocentrali Shoshtanj mund të mbyllet brenda tre vitesh

08 Maj, 2024


Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob ka thënë se termocentrali në Shoshtanj, i vetmi me thëngjill në këtë vend si dhe miniera e tij mund të përfundojnë operimin para vitit 2033, sic ishte përcaktuar më herët. Mbyllja nuk do të ndodhë për shkak të politikave, klimës, por për shkak të humbjeve ekonomike.

Ndërmarrja shtetërore sllovene HSE ka thënë se po pret humbje të mëdha nga operimi me termocentralin me thëngjill në Shoshtanj si dhe me minierën Premogovnik Velenje. Sllovenia është duke bërë një studim të ri për të analizuar humbjet dhe operimin. Kryeministri ka thënë se studimi mund të rekomandojë mbylljen e mëhershme, ose edhe zvogëlimin e dukshëm të prodhimit në tre vitet në vijim, raporton Balkan Green Energy News.

Me herët, Sllovenia kishte thënë se do të mbyllë termocentralin në vitin 2033. Por termocentrali kishte pësuar 2 miliardë euro humbje në operim, sipas mediave lokale. Këto humbje rrezikojnë mbylljen e termocentralit. Ndërmarrja është duke konsideruar edhe ndarjen e termocentralit dhe minierës në dy entitete të veçanta.

Kryeministri ka shtuar se pret që termocentrali nuk do të mbijetojë deri në vitin 2032 jo për shkak të politikës, klimës, por për shkak të humbjeve ekonomike.

Mos të qenit konkurrent, kostot që ndërlidhen me emetimet e gazrave serrë si dhe rregullat më të rrepta mjedisore, po rrezikojnë termocentrale të ngjashme edhe në vendet tjera të Evropës, e vecanërisht në Bullgari, përcjell Kosovo.Energy.

Në anën tjetër, si pjesë e reformave të tregjeve të energjisë, Bashkimi Evropian do të lejojë vendet anëtare të ofrojnë mbështetje për termocentralet që vlerësohen si thelbësore për vendet, përmes të ashtuquajturve mekanizmave për kapacitete.

HSE ka thënë se është duke punuar në gjetjen e zgjidhjeve për punëtorët e minierës si dhe punëtorët e termocentralit. Këto plane përfshijnë edhe vendosjen e një projekti solar lundrues, prodhimin e hidrogjenit si dhe teknologjive tjera të reja.

Sllovenia tashmë ka mundësinë të përfitojë 259 milionë euro nga fondet për transición të drejtë të BE-së. 174 milionë euro janë ndarë për dy rajone thëngjilli – Savinja dhe Salek, ku termocentrali i Shoshtajnit dhe miniera e tij janë të vendosura, si dhe 75 milionë euro për rajonin Zasavje, ku më herët ishte i vendosur një termocentral dhe kompleks minierash.