Search

Rizvanolli: Gjatë viteve në vijim do të ndërtohen së paku 200 MW të parqeve solare

08 Maj, 2024


Në takimin e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime kreu i ekzekutivit kosovar Albin Kurti u ka bërë thirrje bizneseve që ta vazhdojnë bashkëpunimin me qeverinë për të zhvilluar së bashku plane strategjike dhe operacionale që rrisin investimet e huaja direkte, eksportin dhe nxisim zhvillimin efektiv të biznesit.

Kurti poashtu ka thënë se duan që qytetarët të jenë të përgatitur mirë dhe konkurrues në Kosovë.

Kurti ka përmendur edhe ddisa rezultate nga bashkërendimi institucional dhe komunikimi i qartë me bizneset. Ndërkaq bëri me dije se edhe pse sektori publik dhe ai privat janë të ndara, shtëpia sipas tij është një.

E në lidhje me sektorin e energjisë elektrike, Kryeministri ripërsëriti përfitimet e shumta nga projekti i Qeverisë me MCC, që u inaugurua kohë më parë. E përveç këtij projekti, ai foli edhe për ankandin e fundit solar.

“E përmbyllëm me sukses edhe ankandin e parë diellor prej 100 MW. Në mesin e gjashtë ofertuesve me reputacion fitues doli një konsorcium zvicerano-gjerman, “Orllati” i udhëhequr nga një biznes i suksesshëm kosovaro-zviceran që ofronte çmimin 48.88 EUR/MWh, apo 35% më të ulët se sa çmimi tavan që kishim vendosur fillimisht pra 75 euro për MW orë. Ndërkohë që po përgatitemi për ankandin e ardhshëm, kësaj radhe me energji të erës me kapacitet prej 150MW.“, tha Kryeministri.

Derisa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka përmendur edhe fondin e Bashkimit Evropian për implementimin e projektit për ballkanin Perendimor.

Sipas tij Kosova mund të përfitoj rreth 945 milion euro.

Rizvanolli: Kosova e para në rajon për investime në efiçiencë të energjisë

Edhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka bërë me dije skemat dhe subvencionimet e shtetit në sektorin e energjisë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, pasi bëri një përmbledhje të skemave për efiçiencë të energjisë, tha se me nivelin e investimeve që parashihen në këtë sektor, Kosova është e para në rajon që ka kaq shumë investime në këtë fushë në këtë kohë kyçe.

Sipas Rizvanollit, më 18 mars ministria e Financave Punës dhe Transfereve ka përfunduar marrëveshjen e financimit për parkun solar prej 100 MW në pronësi të KEK-ut.

Gjatë viteve në vijim sipas saj do të ndërtohen së paku 200 MW të parqeve solare derisa sipas saj detyrimisht do të krijohen vende të reja të punës në këtë fushë.