Search

Qytetarët dhe komuniteti u shprehën të kënaqur me projektin e ri të energjisë me erë dhe diell gjatë debatit publik në Novobërdë

12 Maj, 2021


Në sallën e Kuvendit Komunal të Komunës së Novobërdës, sot u mbajt debati publik për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis për parkun 170-megavatësh të energjisë me erë dhe diell “Novoberda Wind and Solar Farm” të ndërmarrjes lokale – StubllaEnergy.

Debati publik u organizua nga kompania tjetër vendore – ZONNUM, që kishte bërë studimet e vlerësimit të ndikimit social dhe në mjedis të projektit gjigant të energjisë së ripërtëritshme.

Në debatin e organizuar publik ishte i pranishëm edhe Kryetari i Komunës së Novobërdës. z. Svetostlav Ivanovic dhe zyrtarë të drejtorive të ndryshme, të cilët e mbështetën projektin.

Paralajmërohet debati publik për projektin e ri 170-megavatësh të StubllaEnergy në Novobërdë

Lexo më shumë

Sipas kryetarit Ivanovic, implementimi i këtij projekti në zonën e komunës së Novobërdës është shumë i mirëpritur, duke qenë se do të ndikojë edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe në zhvillimin e zonës së Novobërdës.

Ivanovic shtoi se implementimi i projekteve të tilla është zgjidhja e duhur për të mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndërsa kërkesa për energji elektrike është në rritje dhe gjenerimi aktual i energjisë nga termocentralet shkakton ndotje të madhe të ajrit.

Të pranishëm në debat publik ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe shumë qytetarë të komunës së Novobërdës, komunat tjera dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë siguruar të pranishmit se deri tek aprovimi final i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe Social do të merren parasysh të gjitha vërrejtjet e qytetarëve, ndërsa deri më tani është respektuar çdo procedurë ligjore dhe zbatimi i projektit është bërë në përputhshmëri me kornizën ligjore.

Sipas planeve aktuale, StubllaEnergy ka planifikuar vendosjen 25 turbinave të erës me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 132 megavatësh në projektin e ri hibrid (erë dhe diell) të energjisë së ripërtëritshme në Novobërdë.

Përvec turbinave të erës, në kuadër të projektit do të vendosen edhe panele solare me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 38 megavatësh.

Në total, dy projekte sjellin 170-megavat kapacitete të instaluara të prodhimit të rrymës nga burimet e ripërtëritshme.

Në kuadër të projektit, Stubllaenergy do të ndërtojë edhe nënstacionin.

Kosovo.Energy ka mësuar se kompania tani ka aplikuar edhe në operatorin e sistemit të transmisionit dhe tregut të energjisë elektrike në Kosovë – KOSTT, për t’u pajisur me marrëveshje për kycje.