Çfarë janë ‘ballkonet solare’ që po lulëzojnë në Gjermani?
22 Prill, 2024
Një valë e re e “prodhuesve përmes diellit” nuk po ofrojnë vetëm energji elektrike të lirë, ata po marrin pjesë gjithashtu në tranzicionin e energjisë.
Më shumë se 400 mijë sisteme solare plug-in janë instaluar në Gjermani, shumica e tyre në ballkonet e njerëzve.
Të dhënat e reja tregojnë se të paktën 50 mijë pajisje PV janë instaluar vetëm në tremujorin e parë të vitit 2024, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
“Ballkonet solare” janë pjesë e tranzicionit të gjerë të energjisë në të gjithë Evropën, shpjegoi edhe Jan Osenberg, këshilltar politikash në shoqatën SolarPower Europe.
“Në thelb e shohim atë si tendencë për të përdorur infrastrukturën e mundshme artificiale për gjenerimin diellor”, tha Osenberg.
Si funksionojnë “ballkonet solare”?
Gjëja kryesore që i dallon ballkonet solare nga panelet në çati është se ato janë “sistem më i vogël”.
Në thelb, teknologjia përbëhet nga një ose dy panele të lidhura në një prizë elektrike.
Ato prodhojnë vetëm rreth 10 për qind të energjisë së sistemeve në çati.
Nga pikëpamja e klientit, ndryshimi kryesor është se PV e ballkonit është më e lehtë për t’u instaluar.
Madje ajo mund të blihet në internet dhe nuk ka nevojë për elektricist për ta vendosur – ndryshe nga instalimet në çati, ku rekomandohen instalues të certifikuar për të shmangur rreziqet nga zjarri dhe dëmtimin e strukturës.
Pse kanë sukses ballkonet solare?
“Arsyeja kryesore pse ballkonet solare kanë sukses është se u japin njerëzve mundësinë për të përdorur diellin që nuk e përdornin më parë”, thotë Meyer Burger.
“Shumica e njerëzve nuk mund të instalojnë panele solare në çati. Për ta, ballkoni solar është tërheqës, sepse përdor energjinë dhe ul faturat e tyre elektrike”, shtoi Burger.
Një nga vendet e para që ka investuar në teknologjinë solare është Gjermania e cila tani prodhon më shumë energji elektrike nga ajo solare në Evropë.
Thuhet se kjo “valë” e pronarëve të rinj të ballkoneve solare po përfiton nga energjia e lirë elektrike dhe po ndikon në tranzicionin e energjisë.
Si i ka ndihmuar Gjermania qytetarët të marrin energji nga ballkonet solare?
Qeveria ka inkurajuar njerëzit të përfshiheshin në energjinë solare duke i shpërblyer ata me tarifa nxitëse.
Për shembull, subvencionet janë të disponueshme në nivel rajonal, me deri në 500 euro në Berlin.
Sipas regjistrit të të dhënave, në North Rhine-Westphalia ka mbi 80 mijë sisteme solare, që ndiqet nga Bavaria me 60 mijë dhe Saksonia me 50 mijë.
Gradualisht po rritet edhe madhësia e sistemeve solare të ballkoneve.
Pse vendet e tjera kanë mungesë të energjisë solare në ballkone?
BE-ja tha se shtetet anëtare mund të ndihmojnë në adoptimin e sistemit solar të ballkonit.
Por, kjo nuk është e detyrueshme dhe nuk është pëlqyer nga të gjitha vendet.
Veçanërisht, Belgjika ka ndaluar pajisjet solare me prizë për shkak të frikës rreth ndikimit të sistemeve të paregjistruara në rrjetin elektrik.
Operatorët e rrjetit dëshirojnë të kenë mbikëqyrje të furnizimit me energji elektrike, pasi ndryshimet e papritura mund të dërgojnë në “probleme të energjisë”.
“Por, sipas mendimit tonë, kjo nuk është në të vërtetë një çështje”, shpjegon Osenberg, “sepse injektimi nga sistemi i ballkonit është aq i vogël sa ndikimi do të ishte gjithashtu mjaft i papërfillshëm”.
Austria, Franca, Italia, Polonia dhe Luksemburgu kanë marrë të gjitha një qëndrim inkurajues ndaj “ballkonëve solarë”. Ndërsa aktivistët e energjisë së rinovueshme në Spanjë po kërkojnë që qeveria e tyre të lirojë rregullat së shpejti.
Cilat gjërat duhet të keni parasysh përpara se të blini një sistem solar për ballkonin tuaj?
Megjithëse këto sisteme nuk kanë tendencë të prodhojnë shumë energji elektrike, ato mund të ndihmojnë në uljen e faturave tuaja.
Bateritë e ballkoneve janë më të vogla se ato të çative, por të dobishme për njerëzit që punojnë gjatë ditës dhe energjinë e ruajnë për në mbrëmje.
Disa sisteme solare vijnë edhe me aplikacione të cilat ju lejojnë të shihni se sa energji elektrike prodhon sistemi juaj PV.
Këta serverë janë të sigurt, kështu që aplikacionet nuk rrezikohen.
Por, ju duhet të siguroheni që sistemi juaj të prodhohet në mënyrë të qëndrueshme e të mos përmbajë plumb ose substanca të tjera toksike.
/Telegrafi