Search

Qeveria miraton ndërtimin e centralit fotovoltaik në Vaun e Dejës

12 Korrik, 2021


Këshilli i Ministrave në Republikën e Shqipërisë, miratoi vendimin për ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse, në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës, Qarku Shkodër, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Sipas vendimit, koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit. Afati i miratimit të ndërtimit është 48 muaj nga hyrja në fuqi e këtij miratimi.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj, kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë ecurinë e punimeve, cilësinë dhe konformiteti të jenë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe të dokumentacionit të projektit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.) ka detyrimin që: të paraqesë periodikisht, çdo 3 muaj, pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ose institucioneve të tjera të autorizuara prej saj, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik; të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare; detyrimin e dorëzimit të sigurimit të kontratës, në masën jo më pak se 5 % të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a. dhe ministrisë.

Në këtë kontratë, citon vendimi i qeverisë, përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj: të japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Në rast konvertimi në vlerë monetare, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.), duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit dhe të përmbushë kërkesën sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.