Search

Publikohet raporti për hidrocentralet në Kosovë, identifikohen parregullsi

16 Korrik, 2021


Përkundër faktit që me ligj është rregulluar që për shfrytëzimin e ujit për qëllime afariste duhet të sigurohet koncesioni, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhënien e të drejtës ujore e ka bërë me leje ujore, që paraqet shkelje të Ligjit për Ujërat e Kosovës.

Kështu thuhet në raportin e grupit punues për shqyrtimin e procedurave administrative të zbatuara për hidrocentrale dhe ndikimin e tyre në ujëra dhe mjedis, të siguruar nga Front Online.

‘Dallimi bazë ndërmjet lejes ujore dhe koncesionit qëndron në faktin se koncesioni jepet përmes një procesi konkurrues ndërkaq leja ujore jo’, thuhet tutje në raport.

Lëshimi i lejeve ujore, në kundërshtim me qëllimet strategjike kombëtare dhe ligjin

Në raport thuhet se lëshimi i lejeve ujore është bërë në kundërshtim me aktin ligjor për leje ujore dhe pa u mbështetur në një shqyrtim të detajuar profesional dhe nuk është bazuar në dokumente planifikuese.

‘Për pasojë, janë dhënë leje ujore dhe janë ndërtuar hidrocentrale edhe në zonat ku kanë qenë të planifikuara projekte kapitale hidroteknike duke rrezikuar kështu realizimin e këtyre objekteve me rëndësi strategjike për Kosovën (sin ë rastin e hidrosistemit Lepenci)’, thuhet në raport.

Ndërsa theksohet se edhe procesi i VNM-së është përcjellur me parregullsi dhe i trajtuar vetëm sipërfaqësisht, në tri rastet e kaskadës së Decanit leja ndërtimore dhe certifikatat e përdorimit janë lëshuar nga Ministria, edhe pse hidrocentralet ishin të kapacitetit nën 10 megavat, dhe rrjedhimisht lëshimi i lejës ndërtimore me ligj është kompetencë e komunës.

‘Kjo është realizuar duke i bashkuar dy hidrocentralet (‘Decani’ dhe ‘Belaja’) me një leje ndërtimore meqenëse kështu të bashkuara i kanë mbi 10 megavat, dhe hidrocentrali ‘Lumbardhi’ me digën e cila nuk është ndërtuar fare’, thuhet në raport.

Raporti thekson se edhe mënyra e ndërtimit të hidrocentraleve në afërsi të dretpërdrejt të lumenjëve është në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ujërat e Kosovës, që nuk lejojnë ndërtimin në distancë më të vogël se 30 metra.

Me studime të hershme ishin planifikuar dy hidrocentrale në Decan, numri ishte rritur në tre

Një raport i parafizibilitetit i vitit 2006 kishte propozuar ndërtimin e dy hidrocentraleve në kaskadën e Deçanit ndërsa ‘Kelkos Energy’, kompania që ka ndërtuar dhe operon me tri hidrocentrale në Lumbardhin e Deçanit, kishte rivlerësuar fuqinë instaluese dhe kishte rritur numrin e hidrocentraleve nga dy në tre.

‘Në vitin 2011, Kelkos Energy kishte bërë rivlerësimin e potencialit energjetik të Lumbardhit dhe rivlerësimin e kostove dhe kishte arritur në përfundim se mund të rindërtohen 3 HC-e të reja’, thuhet në raport.

Përvec rritjes së numrit të hidrocentraleve, krahasuar me raportin e parafizibilitetit ishin bërë ndryshime edhe në kapacitetin instalues të hidrocentraleve.

Për ndërtimin e hidrocentraleve në Deçan u shkel Ligji për ujërat dhe u shkatërrua mjedisi

Lexo më shumë

‘Si konluzion “Kelkos Energy” ka rivlerësuar fuqinë instaluese të hidrocentraleve në Lumardhin e Deçanit dhe sipas vlerësimit të tyre potenciali energjetik kishte rezultuar dukshëm më i madh, krahasuar me studimin e para-fizibilitetit (23.36 megavat me 13.5 megavat sa ishte vlerësuar ne vitin 2006)’, thuhet në raport.

Ndryshe, raporti ka listuar edhe një numër shkeljesh në lidhje me tri hidrocentralet në Deçan. Aty thuhet se shtegu i peshqëve nuk është i zbatuar në mënyrë të duhur dhe se traseja e tubacioneve është shtrirë në sipërfaqe publike.

Raporti ka gjetur se në rastet e hidrocentraleve në Deçan, strukturat e betonit në veprat ujëmarrëse janë në shpërputhje të plotë me peisazhin dhe se ndërtesat e hidrocentraleve janë ndërtuar në pronë ujore.

Për dallim nga hidrocentrali ‘Lumbardhi 2’, dy hidrocentralet tjera në Deçan kanë të vendosura kabllot e tensionit të lartë përgjatë rrugës dhe mbi gypat e ujësjellësit, që e vështirëson mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe përbën rrezik për jetën e punëtorëve që punojnë në mirëmbajtjen e këtyre gypave, thuhet në raport.

Ndërsa ka vlerësuar se shumica e këtyre hidrocentraleve operojnë pa Leje Mjedisore, sipas raportit, operatori gjatë ndërtimit të HC “Lumbardhi II” ka eksploatuar ilegalisht inertet në lokacionin Zalli i Rupës në sasi mbi 200.000 m3, derisa Ministria ka neglizhuar zbatimin e detyrueshëm të dispozitave materiale.

E për pot ë njejtin hidrocentral, raporti ka theksuar se nuk janë zbatuar detyrimet nga ana e investitorit sipas marrëveshjes kontraktuese me Komunën (në rastin e HC-ve të Deçanit) për ndërtimin e digës mbi HC “Lumbardhi II”.

Kelkos Energy ka thënë se ka investuar 38.7 milion euro në hidrocentrale, 122 milion euro është vlera e përgjithshme e investuar në hidrocentrale në Kosovë

Vlera totale e investimeve në tre hidrocentralet e kaskadës së Lumbardhit të Deçanit e konfirmuar nga “Kelkos Energy” është 38.7 milionë €, në anën tjetër, sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, vlera e përgjithshme e investimeve për hidrocentralet e përfunduara dhe që janë në operim është rreth 122 milionë euro.

Kelkos: Kemi investuar 1,5 milion euro në ujësjellësin në Deçan

Lexo më shumë
HidrocentraliVlera e investuar
Belaje14,523,869 EUR
Deçani19,213,064 EUR
Lumbardhi II5,020,490 EUR
38,757,423 EUR

Grupi punues rekomandon ndërprerjen e operimit të hidrocentraleve pa leje mjedisore, sjellë një numër rekomandimesh për Kelkos Energy

Bazuar në konkluzionet nga shqyrtimi i dokumentacionit dhe gjetjet në terren, grupi punues që ka përgatitur raportin për hidrocentralet në Kosovë ka rekomanduar ndërmarrjen e një numri veprimesh.

Ndër rekomandimet kryesore, grupi punues ka kërkuar të bëhet ndërprerja e operimit të hidrocentraleve pa leje ujore dhe të shfuqizohen/anulohen të gjitha aktet administrative të lëshuara në kundërshtim me Ligj.

Grupi punues ka kërkuar të zbatohet koncesioni si instrument i së drejtës ujore në pajtim me ligjin e ujërave përmes kontratës koncesionare ndërsa ka publikuar edhe një listë rekomandimesh për investitorin ‘Kelkos Energy’.

Pishtarët do të ndjekin rrugë ligjore kundër licencimit të dy hidrocentraleve në Decan

Lexo më shumë

Ashtu siç ishte paraparë në raportin e VNM-së, në pëlqimin mjedisor dhe marrëveshjen me komunën e Decanit, grupi punues ka kërkuar të kushtëzohet leja mjedisore për Kelkos Energy me ndërtimin e digës në liqenin në lokacionin ‘Zalli i Rupës’.

Nga i njejti operator, grupi punues ka kërkuar edhe hartimin e prurjes së pranueshme ekologjike në pajtim me kornizën ligjore si dhe të instalojë matësit për regjistrimin dhe ruajtjen e të dhënave për prurjet e pranueshme ekologjike.

Përvec tjerash, Kelkosit i është kërkuar edhe rishikimi, projektimi dhe monitorimi i shtigjeve të peshqve dhe regjimit të aluvioneve, përpunimi i strukturave të betonit dhe sigurimi i pëlqimit mjedisor.