Search

Prosumatorët në rritje, Bordi i ZRRE do të shqyrtojë 78 kërkesa të reja në seancën e radhës

28 Qershor, 2024


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka paralajmëruar seancën e radhës, në të cilën përveç tjerash, do të shqyrtojë edhe 78 kërkesa për marrje të autorizimit për vet-prodhim nga konsumatorët në Kosovë.

12 nga këto kërkesa vijnë nga konsumatorë komercial, ndërsa 66 nga persona fizik.

Në seancën e tyre të tetë me radhë këtë vit, të paralajmëruar për 1 korrik 2024, Bordi i ZRRE-së gjithashtu do të shqyrtojë kërkesën për miratimin e listës së tarifave ALPEX sh.a. për zonën e ofertimit të Republikës së Kosovës, si dhe do të shqyrtojë ankesa të konsumatorëve.

Në Kosovë duket se është shtuar interesimi nga konsumatorët për të vendosur panele solare për vet-prodhim.

Vetëm në mbledhjen e fundit, Bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratuar 116 kërkesa për dhënien e autorizimit për ndërtimin të paneleve solare për konsumatorët vetë-prodhues (prosumatorë) me gjithsej 1.9 MW.

Ndryshe, në gusht të vitit 2023, ZRRE ka miratuar rregullën për vet-konsumatorët me burime të ripërtëritshme.

ZRRE kishte sqaruar se kjo rregull përcakton parimet dhe mekanizmin e rregulluar për mbështetjen e konsumatorëve të energjisë elektrike që dëshirojnë të gjenerojnë energji elektrike në ambientet e tyre bazuar në teknologjinë e ripërtëritshme për përdorim vetanak, ndërtimin e kapaciteteve vetëgjeneruese, parimet e mbështetjes së Prosumatorëve dhe procedurën e aplikimit për t’u bërë Prosumator.