Search

PNUD dhe qeveria japoneze, 6 sisteme fotovoltaike për bashkitë e Klosit dhe Dibrës

08 Prill, 2024


Gjashtë sisteme fotovoltaike diellore u dorëzuan zyrtarisht në bashkitë e Klosit dhe Dibrës. Ceremonia, në të cilën morën pjesë ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, kryetarët e të dy bashkive dhe qytetarë, shënoi një hap të rëndësishëm në rrugën e energjisë se qëndrueshme të bashkive.

Këto instalime, nga të cilat përfitojnë gjashtë ndërtesa publike duke përfshirë shkolla të mesme, kopshte dhe ndërtesa të bashkisë, nënvizojnë ndikimin e dukshëm të zgjidhjeve për energjinë e qëndrueshme në komunitetet lokale.

Me një kapacitet total të instaluar prej 542 kWp, këto sisteme fotovoltaike janë të përgatitura për të reduktuar në mënyrë të konsiderueshme emetimet e karbonit me një shumë prej rreth 20,000 tonë gjatë jetës së tyre 25-vjeçare, duke siguruar qasje në energji të pastër dhe të gjelbër për rreth 2,124 fëmijë, zyrtarë publikë dhe qytetarë.

Zbatuar në kontekstin e projektit “Transformimi i tregut për përshpejtimin e energjisë diellore PV në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria e Japonisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë për Eficencën e Energjisë, qeveritë lokale, ky projekt kishte si synim të shpejtonte tranzicionin e Shqipërisë drejt burimeve të energjisë rinovueshme.

Me një financim prej 859,000 USD nga qeveria japoneze, projekti ka mbështetur zbatimin e zotimeve të Shqipërisë në lidhje me ndryshimet klimatike të pajtueshme me Marrëveshjen e Parisit, duke përforcuar angazhimin e vendit për zhvillim të qëndrueshëm ndaj klimës.

Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, theksoi se, “në qendër të këtij projekti është mbështetja për përpjekjet e Shqipërisë në dekarbonizim dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ne shpresojmë që instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore në të dy bashkitë të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë përveç energjisë ujore në Shqipëri. Instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore gjithashtu do të kontribuojë në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri”.

“Gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit të Kombëtar te Përcaktuar (NDC). Në zbatimin e këtij projekti, Japonia organizoi një seminar të përbashkët me UNDP-në dhe përfaqësuesit e të dy bashkive. Nëpërmjet këtij seminari mundëm të ndajmë përvojën dhe njohuritë tona në energjinë rinovueshme me miqtë tanë shqiptarë”, tha ajo.

Ambasadorja japoneze shprehu mirënjohjen për angazhimin e palëkundur të ekipit të UNDP-së dhe ekipit zbatues të bashkive gjatë gjithë procesit të këtij projekti.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, nënvizoi se, “ky projekt është një kontribut i qëndrueshëm drejt zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar.

Jam mirënjohëse Qeverisë se Japonisë për partneritetin dhe mbështetjen e tyre të çmuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera nëpër botë, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme me zero-emetime. Qeveria e Japonisë është një partner i rëndësishëm i UNDP-së dhe luan një rol të rëndësishëm në përkthimin e zotimeve të klimës në veprime të prekshme në terren”.

Nëpërmjet mbështetjes së politikave të synuara, instalimeve pilot në ndërtesa bashkiake dhe nismave për zhvillimin e aftësive, projekti ka synuar promovimin e energjisë diellore si një nga burimet kryesore të energjisë rinovueshme përveç energjisë së ujit.

Duke përdorur ekspertizën japoneze dhe teknologjitë e përparuara, projekti ka përmirësuar aftësitë teknike dhe ka nxitur sipërmarrjen në sektorin e energjisë diellore.

Ceremonia e dorëzimit në bashkitë e Dibrës dhe Klosit simbolizoi bashkëpunimin e suksesshëm mes Japonisë, UNDP-së, dhe partnerëve lokale në avancimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në përputhje me qëllimet e përcaktuara në COP26, UNDP-ja përmes iniciativës së Premtimit Klimatik rikonfirmoi përkushtimin për të mbështetur vendet në përkthimin e qëllimeve të Planit të Veprimit të Kontributit Kombetar të Përcaktuar (NDC-së) në veprime konkrete.

NDC-ja e përmirësuar e Shqipërisë, paraqitur në tetorin e vitit 2021, tregoi një përkushtim të vendosur për reduktimin e emetimeve të gazrave me efekt serre dhe përqafimin e zgjidhjeve të energjisë së pastër.

Potenciali transformues i energjisë diellore ishte tashmë i dukshëm nëpërmjet dhjetë projekteve pilot të zbatuara në bashkitë e Dibrës, Klosit, Shkodrës dhe Përmetit, duke rezultuar në qasje të përmirësuar në furnizimin me energji për mijëra qytetarë shqiptarë.