Search

Përfundon seanca e dhjetë e bordit të ZRRE, Kosovës i shtohen edhe 457.1 kilovat kapacitete të energjisë së ripërtëritshme

29 Korrik, 2022


Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji ka mbajtur seancën e dhjetë për këtë vit. Në këtë seancë Bordi ka dhënë 16 autorizime për ndërtimin e paneleve solare për vet-konsum, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 457.1 kilovatësh.

Përveç autorizimit të projekteve të reja të energjisë së ripërtëritshme për vet-konsum, në seancë bordi ka miratuar plotësim/ndryshimin në rregullën për licencimin e aktiviteteve në sektorin e energjisë, atë mbi parimet për përcaktimin e tarifave për shfrytëzimin e taksave për kyçje në rrjetin e shpërndarjes, si dhe metodologjinë e taksave për kyçje në rrjetin e shpërndarjes.

Në mbledhjen e dhjetë, Bordi gjithashtu ka aprovuar planin zhvillimor 2022-2031 të Termokosit.

“Në këtë seancë, pas shqyrtimit të propozimit të komisionit për Përcaktimin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit, Bordi i ZRRE-së në përputhje me kërkesat ligjore të Ligjit për Rregullatorin e Energjisë ka caktuar Korporatën Energjetike të Kosovës KEK si Furnizues i Mundësisë së Fundit për një periudhë tre (3) vjeçare”, thuhet në komunikatën e publikuar.

Sikurse edhe në të gjitha mbledhjet paraprake, edhe në këtë mbledhje bordi ka shqyrtuar ankesat e konsumatorëve, si dhe ka shqyrtuar çështje tjera që ndërlidhen me ZRRE-në.