Search

Përfundon konferenca REST 24: Marrin pjesë 100 shkencëtarë nga 25 shtete të ndryshme

28 Qershor, 2024


Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) është mbajtur konferenca e 2-të ndërkombëtare për energjitë e ripërtëritshme dhe teknologjitë e zgjuara (REST 24).

REST 24 bashkoi mendjet më të ndritura nga fusha e energjisë së ripërtëritshme dhe teknologjive të zgjuara, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe kërkimeve shkencore.

Konferenca zgjati dy ditë, dhe pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë prezantimet e mbi 100 punimeve kërkimore që erdhën nga 25 shtete të botës e të cilët krijuan rrjete profesionale dhe zhvilluan diskutime mbi zhvillimet e fundit në këtë fushë.

Rizvanolli: Bashkëpunimi është kritik për zhvillimin e sektorit të energjisë

Hapjen e kësaj konference e bënë Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli dhe Dekani i FIEK, Prof. Dr. Isak Shabani.

Ministrja Rizvanolli tha se, bashkëpunimi mes ekspertëve të akademisë, politikë-bërësve dhe sektorit privat është kritik për zhvillimin e sektorëve dinamik e inovativ si energjia. Teksa nisim procese të reja si ankandet e zhvillojmë teknologji inovative si kapacitetet akumuluese, është tejet e rëndësishme që të kemi të gjitha pikëpamjet, të dhënat e hulumtimet për hapat tonë në vijim, përfundoi ajo.

Gjatë konferencës janë mbajtur panele me temat: Teknologjitë e ruajtjes së energjisë, navigimi në energjinë e së nesërmes: Inovacionet dhe sfidat në sistemet e ardhshme të energjisë dhe burimet natyrore, fuqizimi i rrjetit, eksplorimi i zgjidhjeve dinamike të fleksibilitetit për një sistem energjie elastik si dhe do diskutohen studime nga këto fusha.

KOSTT do të vazhdojë përkrahjen për investitroët që ndërlidhen me BRE-të, përkundër kërkesave tejet të mëdha për kyçje në rrjet

Një nga temat kryesore të konferencës ishte rëndësia e rrjeteve transmetuese në tranzicionin energjetik.

Rrjetet duhet të jenë shtylla mbështetëse të këtij tranzicioni, duke u zgjeruar dhe përshtatur për nevojat e dekarbonizimit të sistemit elektroenergjetik. Këto rrjete duhet të jenë më të ndërlidhura ndërkombëtarisht, të digjitalizuara dhe të rezistente ndaj rreziqeve kibernetike.

Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT z. Evetar Zeqiri i njoftoi pjesëmarrësit e konferencës rreth investimeve të vazhdueshme të cilat pritet të realizohen nga KOSTT në ngritjen e kapaciteteve transmetuese si dhe modernizimin e rrjetit, zhvillimeve në sektorin e energjisë që do të krijojnë një ambient më të favorshëm për BRE-të, qasje e cila do të mundëson krijimin e një sistemi energjetik më të qëndrueshëm në funksion të tranzicionit energjetik.

‘’KOSTT do të vazhdoj të jetë në përkrahje të të gjithë investitorëve që ndërlidhen me BRE-të, përkundër kërkesave tejet të mëdha për kyçje në rrjet, kështu duke dhënë përgjigjet në afatet më të shkurta kohore në kërkesat për kyçje në rrjetin e transmetimit dhe të mundësojmë integrim më të lehtë për të gjithë investitorët që të mos krijohen pengesa në realizimin e investimeve të reja në kapacitete gjeneruese’’ theksoi z. Zeqiri.

Tërnava: KEDS ka arritur të digjitalizohet dhe të përqafojë teknologjitë më moderne në shumë sektorë

Pjesë e panelit kryesor të ditës së dytë të konferencës ishte edhe Sabri Tërnava, Drejtor për Shërbim me Konsumatorë në KEDS.

Ai elaboroi hapat që ka ndërmarrë kompania për përshtatjen e infrastrukturës për energjinë e renovueshme dhe adaptimin e teknologjive të fjalës së fundit.

“KEDS që nga fillimi i opermeve menjëherë filloi me digjitalizimin e sektorëve. Të njëjtën kohë nisi edhe përshtatja e rrjetit për energjinë e pastër. Sot, 11 vjet pas janë investuar mbi 230 milionë euro dhe kompania ka arritur të digjitalizohet dhe të përqafojë teknologjitë më moderne në shumë sektorë”, tha Tërnava.

Në konferencë morën pjesë mbi 100 shkencëtarë nga universitetet me më renome botërore, nga 25 shtete të ndryshme, duke e bërë Prishtinën gjatë ditëve të fundit qendër të rëndësishme për diskutim të energjisë së ripërtëritshme dhe teknologjitë e mençura.