Përfshirjen e Kosovës në projektet rajonale të gazit – OEK kërkon reagimin e Qeverisë
April 30, 2026

Oda Ekonomike e Kosovës, OEK, i bën thirrje Qeverisë që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, në një kohë kur rajoni po hyn në një fazë të rëndësishme të transformimit energjetik.
OEK thekson zhvillimet e fundit në rajon – përfshirë marrëveshjen ndërmjet Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kroacisë për lidhje me terminalin LNG në Krk, si dhe marrëveshjen e re në Shqipëri për gazin e lëngshëm natyror, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – dëshmojnë qartë se Ballkani Perëndimor po ripozicionohet në hartën energjetike të Evropës.
Oda më tej vlerëson se në këtë kontekst, mungesa e Kosovës në këto iniciativa paraqet rrezik serioz për sigurinë energjetike dhe konkurrueshmërinë ekonomike të vendit.
“Kosova nuk ka luksin të mbetet anash, ndërsa rajoni po ndërton infrastrukturën e së ardhmes energjetike me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfshirja në këto projekte është jetike për sigurinë energjetike, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve strategjike”, ka deklaruar kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
OEK thekson se përfshirja e Kosovës në këto projekte duhet të bëhet në përputhje të plotë me standardet e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e partnerëve strategjikë ndërkombëtarë, duke garantuar transparencë dhe procese të hapura konkurruese.
Oda Ekonomike e Kosovës u bën thirrje institucioneve vendore që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të sigurojë një rol aktiv në këtë moment kyç për të ardhmen energjetike të rajonit.
/Telegrafi