Search

Përballja me sfidat e tranzicionit të gjelbër në Ballkanin Perëndimor

05 Shkurt, 2024


Megjithatë, përpjekjet për kalimin e shpejtë në energjinë e pastër, mund të ndikojnë negativisht në komunitetet që mbështeten shumë në veprimtaritë me emetime të larta karboni, prandaj duhen ndjekur strategji të drejta tranzicioni.

Valët e të nxehtit gjatë sezoneve të verës kanë dobësuar hidrocentralet, ndërkohë që çmimet e larta të energjisë elektrike dhe mallrave, si dhe çështjet teknike që lidhen me funksionimin e termocentraleve me qymyr, kanë rritur trysninë për të kaluar drejt strategjive energjetike më të qëndrueshme dhe të larmishme.

Një tjetër vit i vështirë për tranzicionin e Evropës

Lexo më shumë

Megjithatë, përpjekjet për kalimin e shpejtë në energjinë e pastër, mund të ndikojnë negativisht në komunitetet që mbështeten shumë në veprimtaritë me emetime të larta karboni, prandaj duhen ndjekur strategji të drejta tranzicioni.

Në Ballkanin Perëndimor, po rritet ndërgjegjësimi për pasojat e dëmeve mjedisore dhe sociale që lidhen me lëndët djegëse fosile, si ndotja e ajrit, ndryshimet klimatike dhe çështjet e shëndetit publik.

Ndërsa kërkesa për energji vazhdon të rritet, është thelbësore që të mbahet nën kontroll konsumi i energjisë, duke nxitur efikasitetin e energjisë, burimet e ripërtëritshme, elektrifikimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të kërkesës.

Tranzicioni i gjelbër është i mbushur me pengesa

Lexo më shumë

Disa zhvillime në horizont, mund të ndryshojnë gjendjen e tanishme. Që nga viti 2026, vendet e rajonit duhet të pajtohen me Mekanizmin e Rregullimit të Kufirit të Karbonit të BE-së (CBAM) dhe të përcaktojnë çmimet e karbonit.

Ne e shohim këtë si një mundësi të jashtëzakonshme që ekonomitë rajonale të përshpejtojnë përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe të fillojnë të mbyllin minierat e qymyrit dhe të ndalojnë prodhimin e energjisë me qymyr, për të ulur përmbajtjen e dioksidit të karbonit në prodhimin e energjisë vendase dhe prodhimin industrial.

Sipas Bankës Botërore, CBAM-ja do të mbulojë midis 1% dhe 10% të totalit të eksporteve të vendeve (mbështetur në të dhënat e viteve 2018-2022), një shifër që në Ballkanin Perëndimor arrin mesatarisht në 4%.

Në këtë drejtim, Axhenda e Gjelbër e miratuar në vitin 2020, është një plan për zhvillimin ekonomik të gjelbër dhe përputhjen me ligjet e BE-së.

Së bashku me rekomandimet kombëtare, ajo do ta lejojë Bashkimin Europian (BE) që të rrisë mbështetjen për përpjekjet ekologjike të rajonit. Investimet e qëndrueshme (duke përfshirë sektorin e energjisë), mbështeten nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve dhe një paketë e mbështetjes energjetike prej 1 miliard eurosh.

Megjithatë, përpjekjet e vrullshme për të kaluar në energjinë e pastër mund të prekin njerëzit dhe rajonet që mbështeten shumë në industritë me emetime të larta karboni, duke rrezikuar kështu vendet e punës dhe bizneset. Zhvillimi i planeve gjithëpërfshirëse të tranzicionit për të përballuar njëkohësisht sfidat sociale, ekonomike dhe mjedisore, është hapi i parë për të parandaluar këto pasoja negative.

Këto plane gjithashtu do t’i ndihmojnë qeveritë që të shfrytëzojnë mundësitë e rritjes ekonomike nga tranzicioni, duke shndërruar monokulturat industriale në rënie, në ekonomi lokale të larmishme dhe me karbon të ulët. Investimet do të përfshijnë padyshim sektorin e energjisë, por edhe shumë industri që do të kenë rëndësi për ekonominë pas epokës së qymyrit.

Në veçanti, duhen bërë përpjekje për rikualifikimin dhe rritjen e aftësive, për të mbështetur punëtorët dhe komunitetet e tyre dhe për të rishpërndarë me sukses fuqinë punëtore.

Në konferencën për klimën COP28, “BEI Global” (dega e zhvillimit e BEI, që është aktive jashtë BE-së), paraqiti një qasje të re të krijuar për të mbështetur këtë proces, në mënyrë më sistematike.

Ajo do t’i mundësojë bankës të rrisë shërbimet e financimit dhe këshillimit për një tranzicion të drejtë dhe elastik në mbarë botën, duke punuar me partnerët lokalë për të shfrytëzuar mundësitë, për të ofruar mbështetje teknike dhe kreditim të drejtpërdrejtë dhe të ndërmjetësuar, përmes fondeve, bankave dhe institucioneve mikrofinanciare.

Fillimisht, vëmendja do të përqendrohet në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, si dhe në Maqedoninë e Veriut, Serbi, Ukrainë, Afrikë të Jugut, Indonezi dhe Vietnam.

Kjo qasje synon të mbështesë punëtorët dhe komunitetet e dëmtuara nga dekarbonizimi, nismat për efikasitetin e energjisë dhe projektet e energjisë së ripërtëritshme. Gjithashtu do të përqendrohet në zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, trajnimin dhe rikualifikimin e punëtorëve, mbrojtjen mjedisore dhe ripërdorimin e qendrave të ndryshme.

Nëpërmjet qasjes së re, BEI-ja do të sigurojë që politikat dhe projektet e përshtatjes me klimën, të marrin parasysh nevojat e vendeve më të prekura nga ndryshimet klimatike dhe grupeve të cenueshme që mund të jenë lënë pas dore.

Kërkohet udhërrëfyesi i tranzicionit për qytetin e qymyrit në Kosovë

Lexo më shumë

Faza e parë e zbatimit do të shtrihet në vitet 2024 dhe 2025, për të zgjeruar shkallën e ndihmës dhe për ta përmirësuar atë, duke u mbështetur në mësimet e nxjerra.

Në COP28, “BEI Global” nënshkroi një Deklaratë të Përbashkët për Platformën e Investimeve për një Tranzicion të Drejtë për Maqedoninë e Veriut, me nismën e qeverisë së vendit, duke marrë edhe ndihmë teknike nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo platformë do të ndihmojë në shpërndarjen e rreth 3 miliardë eurove në investime, politika dhe ndihmë teknike, për të përshpejtuar tranzicionin energjetik të vendit dhe instalimin e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme prej 1.7 GW, deri në vitin 2030.

Rritja e investimeve të sektorit privat

Për të siguruar një tranzicion të drejtë, drejt një ekonomie pa emetime karboni, është vënë në dispozicion ndihmë teknike për rajonet që po kalojnë procesin e tranzicionit për eliminimin e qymyrit në Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainë.

Në një shqyrtim fillestar, u përcaktuan të paktën 17 fusha të pranueshme për pjesëmarrje, të cilat do të përfitojnë nga fonde të posaçme për projektet dhe programet e tranzicionit.

U njoftua zgjerimi i shërbimeve këshillimore të BEI, në kuadër të programit këshillimor JASPERS (ndihmë e përbashkët për të mbështetur projektet në rajonet europiane), me një total prej 20 milion eurosh që do të vihen në dispozicion për të përgatitur dhe për të zbatuar projektet kyçe të infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor.

Marrëveshja e saponënshkruar IPA III, mbulon fushat përkatëse të politikave, për një tranzicion të drejtë dhe elastik, duke përfshirë energjinë, mjedisin, klimën dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Zhvillimi i infrastrukturës për energjinë e ripërtëritshme kërkon investime domethënëse dhe përparime teknologjike.

Megjithatë, për shkak se burimet si dielli dhe era janë me ndërprerje, ruajtja e energjisë është thelbësore për të pasur një rrjet të qëndrueshëm.

Prandaj, është thelbësore që të vijojë investimi në një gamë të larmishme burimesh të ripërtëritshme të energjisë, duke përfshirë diellin, erën, burimet ujore, ato gjeotermale dhe biomasën, si dhe investimet në rrjetet e energjisë elektrike dhe infrastrukturën e ruajtjes.

Së bashku me këto përpjekje, përfshirja e sektorit privat është thelbësore për rritjen e investimeve të gjelbra, kryesisht nëpërmjet mjeteve të posaçme financiare dhe ndihmës teknike.

/ Monitor.al