Search

Pas rikthimit, njësia B2 po prodhon 60 megavat më pak

21 Shtator, 2022


Blloku B2 është kthyer pas remontit javë më parë, por nuk po funksionon sikur në kohën para riparimit.

Një burim i tha Gazetës Express se ky bllok i KEK-ut është duke prodhuar 200 MWh në ditë e jo 260 MWh siç i prodhonte para se të hynte në remonte. KEK nuk i është përgjigjur kërkesës së Gazetës Express në lidhje me këto raportime.

Në bazë të çmimit të tregut, mungesa e prodhimit në këtë bllok po shkakton dëme 500 mijë euro çdo ditë.

Kosova gjatë dy javëve të gushtit është përballur me reduktime të energjisë elekrike. Kjo është parë si një indikacion që gjatë dimrit mund të ketë ndërprerje të ashpra të energjisë elektrike, ka pretenduar opozita gjatë gushtit.

E reduktimet e mundshme gjatë dimrit i ka paralajmëruar edhe Ministrja Artane Rizvanolli, gjatë vizitës në Korporatën Energjetike të Kosovës.

“Përderisa vitin e kaluar si rezultat i rritjes së kërkesës në periudhën pas pandemisë ka shkaktuar rritje të çmimeve në treg, sivjet jemi në një situatë shumë më të rëndë ku për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga ana e Putinit, kemi mungesa në treg duke përfshirë edhe ndaljen e gazit, e të cilat e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm dhe gjithashtu e bëjnë të qartë se dimri do të jetë i vështirë jo vetëm për ne, por për tërë Evropën”, ka thënë Rizvanolli pas vizitës në KEK.

Dimrit rritet dukshëm konsumi i energjisë edhe për shkak të ngrohjes elektrike.

Mungesa e rrymës ka bërë që Kosova dhe Shqipëria të rrisin bashkëpunimin mes vete. Ministria e Ekonomisë ka bërë me dije se Kosova do të ndihmohet nga Shqipëria gjatë muajve të dimrit.