Search

Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjenda e Gjelbër – Një Perspektivë e Shoqërisë Civile

21 Maj, 2021


Kur para zgjedhjeve qëndrore të 14 shkurtit partitë politike publikuan të ashtuquajturat programet zgjedhore, ishim thellësisht të dëshpëruar sepse në rastin më të mirë ato ishin një pamflet me ide të paqarta, jokreative dhe aspak konkrete. Ishte si të hapje një kuti me ngazëllim, vetëm për të parë se brenda saj ishte veç një kuti tjetër. Duhej të prisnim programin e Qeverisë për të parë orientimet e qarta të subjektit që të gjithë e dinim se po fitonte. Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perendimor, një përpjekje e Evropës që del nga iniciativa e Berlinit është mundësi e artë për Kosovën që të projektoj politika që promovojnë efiçiencën e energjisë, burimet e ripërtëritshme të energjisë, tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin. Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në masë të konsiderueshme ka dështuar të inkorporoj këtë komponent të rëndësishme për integrimin dhe zhvillimin tonë. Kështu, në vend se të ishte një program për ndryshimin e kursit të politikave drejt së ardhmes së gjelbër, ky dokument është më tepër një vizion i mjegullt që nuk përfiton nga momentumi që Agjenda e Gjelbër sjellë. Edhe një kuti brenda kutisë dhe një prolog pa rrëfim, pa personazhe dhe pa kohështrirje!

Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e përshkruar detajisht në Udhëzuesin për Implementimin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, ndau Agjendën e Gjelbër në pesë shtylla kryesore: 1) veprimi për klimën, përfshirë dekarbonizimin, energjinë dhe mobilitetin, 2) ekonominë qarkore, që adreson veçanërisht mbeturinat, riciklimin, prodhimin e qëndrueshëm dhe përdorimin efiçient të burimeve, 3) biodiversitetin, 4) luftimin e ndotjes së ajrit, tokës dhe ujit dhe 5) sisteme të qëndrueshme të ushqimit dhe zonave rurale. Ky dokument, gjithashtu është zhvilluar nën kornizën e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor që parasheh investime deri në 9 miliardë euro si pjesë e instrumentit të paraantarësimit IPA III. Por, sa janë përfshirë këto shtylla në programin qeverisës dhe a ka krijuar programi një objektivë të qartë për thithjen e këtyre fondeve dhe për trasimin e rrugës së zbatimit të Agjendës së Gjelbër?

Një mundësi e lëshuar për klimën, energjinë dhe dekarbonizimin

Klima nuk është përmendur vetëm dy herë në Program. Janë paralajmëruar miratimi i Ligjit për Klimën dhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë. Sa i takon Ligjit për Klimën, hartimi i tij nuk është aspak risi e këtij programi qeverisës. Ligji është planifikuar të hartohet qysh me miratimin e Strategjisë së Ndryshimeve Klimatike 2019 – 2028 dhe Planit të Veprimit për Ndryshime Klimatike 2019 – 2021, ku miratimi i Ligjit për Klimën është përmendur që në fillim të Planit të Veprimit. Sa për Planin Kombëtar për Energji dhe Klimë, ky është një dokument rreth të cilit është filluar të punohet që në vitin 2018, ku edhe ne si shoqëri civile kemi dhënë kontributin tonë bashkë me donatorët e tjerë si GIZ. Drafti i kompletuar ekziston dhe vetëm pritet vendimmarrje politike rreth targeteve të energjisë, orientimeve rreth klimës dhe politikave mjedisore që të miratohet.

Programi ka dështuar të përcaktojë, ose të paktën të sqarojë se cili do të jetë pozicioni i Kosovës rreth targetit të munguar për reduktim të emisioneve dhe për kontribut të Kosovës për Marrëveshjen e Parisit apo iniciativave të tjera në të ardhmen. Pra, nuk ka një përcaktim të qartë në program rreth kësaj dhe as cilat do të jenë afatet apo kostot për masat që duhet të ndërmerren. Janë përmendur Ligji për Klimën dhe Plani Kombëtar për Energji dhe Klimë – të dy këto punë të cilave tashmë u është bërë mundi dhe vetëm pritet miratimi i tyre.

“Në të dy paragrafët për energjinë janë përmendur 15 koncepte pa shtjellim shtesë, pa masa konkrete, pa afate të zbatimit dhe pa kosto të përllogaritur!”

Politikave të energjisë i janë kushtuar vetëm dy paragrafë. Vetëm dy paragrafë i janë kushtuar njërës prej fushave kryesore të zhvillimit dhe të zbatimit të agjendës së gjelbër. Ndonëse konceptet “dekarbonizim” dhe “tranzicion energjetik” janë përmendur, por pa ndonjë datë të synuar, politika dhe masa të qarta dhe pa asnjë kosto të kalkuluar. Është premtuar furnizim i qëndrueshëm dhe i përballueshëm, pa shpjeguar se si do të arrihen të dyja – a do të ketë bashkim energjetik me Shqipërinë dhe për çfarë periudhe, sa do të jenë investimet në rrjet dhe cila do të jetë qasja dhe politikat e Qeverisë për konsumatorët në nevojë? Asnjë nga këto nuk i sqaron programi.

Nuk premtohet qymyr i ri që është mjaft pozitive por thuhet se “do të punojmë në përmirësimin e menaxhimit të kapaciteteve ekzistuese energjetike, si bazë për siguri në furnizim energjetik dhe rrugë e drejtë gjatë tranzicionit e dekarbonizimit energjetik”. Këtu nuk është e qartë a mendohet vetëm në menaxhim të ndërmarrjes apo ndonjë investim shtesë. Gjithashtu, është premtuar që do t’i kushtohet rëndësi e veçantë shqyrtimit të fizibilitetit të të gjitha mundësive për zhvillimin e sistemit të gazit natyror por edhe kjo pa asnjë detaj shtesë. Energjia dhe klima janë shtylla të zhvillimit të cilat janë lënë prapa për një kohë të gjatë. Programi i Qeverisë duhej t’i përfshinte orientime të qarta, të mirëmenduara dhe jo premtime në stilin “ne premtojmë që do të mendojmë“.

Biodiversiteti i koncepteve të zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit pa ide konkrete dhe pa plane të matshme

Programi ka paraparë miratimin e Strategjisë për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave. Edhe kjo Strategji ishte planifikuar të rishikohej që në vitin 2018 kur në Raportin mbi Menaxhimin e Mbeturinave Komunale në Kosovë, Ministria e Mjedisit paralajmëronte qartësisht rishikimin e Strategjisë dhe miratimin e një strategjie të re. Pra, përcaktimi i tillë është pa plan të zbatimit, pa datë, pa kosto dhe pa detaje se cilat do të jenë risitë që Programi sjell në mënyrë që të arrihet “promovimi i vlerave dhe praktikave të një ekonomie qarkore në shkallë vendi”. Ngjashëm, janë paraparë disa masa në pjesën e zbutjes së ndotjes së ajrit që sërish, fokusohen tek ndryshimi i kornizës ligjore si instrument por pa shpjeguar se cilat politika publike propozohen. Po kështu edhe tek mbrojtja e ujit ku është përshkruar rishikimi i tërë kuadrit ligjor pa propozuar as edhe një politikë konkrete për këtë.

Programi i shumëpritur i Qeverisë është publik tashmë. Me publikimin e Draftit, ne shpresojmë që është hapur rruga për një debat të mirëfilltë shoqëror se si programi ynë qeverisës të përmbajë jo vetëm parimet por edhe masat që derivojnë nga Agjenda e Gjelbër e BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ne shpresojmë që Kuvendi i Kosovës do të marrë situatën në dorë dhe do t’i japë kohë shtesë Qeverisë për të bërë plotësimet e domosdoshme në Program. Kemi pritur mjaft gjatë dhe mund të presim edhe pak në mënyrë që orientimi pro Agjendës së Gjelbër të jetë i qartë. Ne në Institutin për Politika Zhvillimore, por besojmë edhe organizatat tjera të shoqërisë civile, jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Qeverisë në fushat e ekspertizës sonë. Deri atëherë, ky draft është vetëm një listë konceptesh dhe një hap i parë pa formë të qartë dhe pa drejtim të sigurtë. Hapat e tjerë që presim janë Strategjia Kombëtare për Zhvillim, Strategjia e Re e Energjisë, Plani për Energji dhe Klimë dhe dokumentet tjera sektoriale në fushën e mjedisit, energjisë dhe klimës. Të shpresojmë që ato do të jenë konkrete për të përfituar nga vëmendja dhe miliardat e BE-së në zbatimin e Agjendës së Gjelbër dhe për ta vënë Kosovën në rrugën e dekarbonizimit dhe të ardhmes së pastër.

Burim Ejupi

Burimi Ejupi është Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore – INDEP.

Dardan Abazi

Dardan Abazi është Menaxher i Programit dhe Hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore – INDEP.