Search

Boll më me fjalë – Vepro për klimën

09 Nëntor, 2021


“Ajo që bën përbën ndryshimin, e tash duhet të vendosni se çfarë lloj ndryshimi dëshironi të arrini,” ka thënë shkencëtarja dhe aktivistja Jane Goodall. Liderët, qeveritë dhe të rinjtë në të gjithë botën kanë ngritur alarmin se na duhet të tkurrim në masë dramatike rritjen e temperaturave për të shmangur ndikimet e pakthyeshme të ndryshimeve klimatike. Shkenca e ka thënë qartë se duhet të veprojmë menjëherë. Për ta bërë këtë, të gjithë ne kemi rol kritik, për të ndikuar tek ata që janë në pozitë pushteti, por edhe të prijmë me shembullin tonë, për të ndryshuar status quo-në.

Si profesionist me përvojë në këtë sektor, i kam kushtuar mbi 25 vjet të karrierës sime shoqërisë civile, në hulumtimin e çështjeve më serioze të Kosovës në aspektin e zhvillimit social, ekonomik dhe të qëndrueshëm, gjatë dekadave të fundit. Dhe më besoni, nuk ka kërcënim më të madh për të ardhmen tonë dhe brezat e ardhshëm sesa ndryshimi i klimës.

Ndikimet klimatike në Kosovë rrezikojnë të cenojnë disa nga rezultatet më të rëndësishme që kemi arritur në ekonomi dhe prosperitet. Bujqësia dhe industria, që përbëjnë një pjesë të madhe të ekonomisë sonë, janë të cenueshme nga mungesa e ujit, valët e nxehtësisë, thatësirat dhe përmbytjet.

Temperaturat në rritje, si dhe mbjelljet e parregulluara ndikojnë në shtrirjen dhe shëndetin e pyjeve ekstenzive të Kosovës, por edhe shkaktojnë pasiguri ushqimore për njerëzit. Kosova ka nevojë urgjente për një strategji për të tkurrur emetimet e gazrave serë, si dhe për të zbutur ndikimet klimatike që vijnë nga ndotja e ujit, degradimi i mjedisit dhe eksploatimi i burimeve. Si shoqëri kryesisht e varur nga lëndët djegëse fosile, përpjekjet e Kosovës duhet të shoqërohen me lëvizje për të dekarbonizuar sektorin e energjisë dhe zhvendosje eksponenciale drejt burimeve të ripërtërishme.

Përshkallëzimi i veprimeve dhe zgjidhjeve klimatike kërkon politika inteligjente, por edhe lidership klimatike nga bizneset, prijësit, studiuesit dhe qytetet. Kosova ka shënuar përparim modest gjatë viteve të fundit, por duhet të përforcojë veprimet e saj që të përafrohet me ambiciet e reflektuara në angazhimet globale.

Sot është koha të bëhemi bashkë për të tkurrur shputën tonë kolektive të ndikimit. Kjo është thirrje për institucionet, bizneset, organizatat dhe palët e interesit, që të ndërmarrin veprime kolektive ndaj krizës më të madhe në botë, si dhe të punojnë së bashku për zhvillim drejt një planeti më të sigurt dhe më të shëndetshëm për brezat e ardhshëm. Ne duhet të punojmë së bashku për të pasur lidership përmes veprimeve konkrete, si dhe të prijmë me shembull, për të hapur shtegun drejt neutralitetit në karbon, në Kosovë e më gjerë. Në të njëjtën kohë, duhet të avokojmë për ambicie më të mëdha në zbutjen e ndikimeve klimatike, duke përfshirë edhe idetë e reja e novatore në të gjitha nivelet – individuale, organizative, institucionale.

Ne, si shoqëri civile, kemi një rol të fuqishëm në përkthimin e vetëdijes në veprim në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe besoj fuqimisht se ndryshimi mund të bëhet edhe nga brenda. Adresimi i krizës klimatike nënkupton edhe ndërmarrjen e veprimeve kolektive për të zvogëluar konsumin tonë personal të lëndëve fosile, për të mbështetur ekonominë tonë lokale duke zgjedhur më shumë produkte vendore, duke zvogëluar sasinë e ushqimit që hedhim.

Në INDEP, ne po përpiqemi të përforcojmë zotimet tona për veprimet klimatike, sidomos në kuptimin e integrimit më të mire të çështjeve klimatike në kurrikulën e shkollave të mesme. Ne zotohemi të punojmë me Ministrinë e Arsimit për të arritur këtë synim, si dhe të zhvillojmë lëndë, klasa dhe përmbajtje edukative të përshtatura enkas, për të ndihmuar në rritjen e vetëdijes mbi çështjet që lidhen me energjinë e gjelbër, veprimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit në mesin e brezave të rinj.

Ju ftoj të gjithëve – institucionet e Kosovës, profesionistët, bizneset, kryetarët e komunave, njerëzit e Kosovës – të më bashkoheni mua dhe shumë të tjerëve në dhënien e një premtimi personal, për të ndaluar ose përmbysur efektet e ndryshimeve klimatike. Ne duhet të bëhemi bashkë sot, për hir të një të nesërme më të jetueshme. Bashkohuni me ne për të bërë ndryshimin në komunitetin tonë dhe në të gjithë Kosovën, duke plotësuar Formularin e Zotimit Vullnetar dhe përhapni thirrjen për veprim në rrjetet tuaja.

Çka po bëni për t’i luftuar ndryshimet klimatike?

Bëni tweet në lidhje me këtë me hashtag #KosovoClimateAction. Ose kërkoni nga punëdhënësi juaj që të bashkohet me Zotimet Vullnetare

Burim Ejupi

Burimi Ejupi është Drejtor Ekzekutiv në Institutin për Politika Zhvillimore – INDEP.