Search

Oda Ekonomike Federale e Austrisë: SOWI Kosovo investimi më i madh i huaj direkt për vitin 2020

15 Shkurt, 2021


Oda Ekonomike Federale e Austrisë ka publikuar raportin ekonomik për Kosovën për vitin 2020.

Raporti shtjellon dëmet e pa-evitueshme ekonomike të shkaktuara nga kriza pandemike, ndërsa nënvizoi se Kosova gëzoj një mbështetje të mirë nga investimet e huaja direkte.

Në raportin për investimet e huaja direkte, raporti nënvizoi se sektori i energjisë dhe minierave përfituan më së shumti, pasuar nga shërbimet financiare dhe sektori i pasurive të paluajtshme.

Në raportin e tyre për Kosovën, Oda Ekonomike Federale nënvizoi që të hyrat e investimeve të huaja direkte më së miri mund të sqarohen përmes shembullit të investimit të përbashkët Gjermano – Kosovar – Izraelit në projektin e ‘SOWI Kosovo’, për ndërtimin e parkut të erës në Bajgorë të Mitrovicës me vlerë prej 169 milion eurosh.

Ulja e pjesëmarrjes së thëngjillit në prodhim të energjisë është një projekt i shekullit në Kosovë, ndërsa energjia e ujit dhe erës ekziston vetëm në gjurmë

Tutje, raporti ka nënvizuar që ndonëse 97 për qind e energjisë elektrike në Kosovë vie nga thëngjilli, përkundër reagimit të vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe ambientalistëve që kundërshtonin këtë, Kosova ka tentuar që të rrisë kapacitetet e veta nga ky burim.

Ndërsa ka përmendur edhe projektin e dështuar të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e Re’ pas tërheqjes së investitorit ContourGlobal në mars të vitit 2020, që erdhi pas tërheqjes së Bankës Botërore, BERZH-it dhe agjencisë amerikane OPIC.

Raporti nënvizoi edhe mobilizimin e ambientalistëve kundër zgjerimit të kapaciteteve të hidroenergjisë, ndërsa i bëri thirrje investitorëve të fokusohen në investime që mbështesin energjinë me diell dhe atë të erës në Kosovë.

E përveç projektit të SOWI Kosovo, raporti foli edhe për investimin tjetër të vitit 2019 të BERZH-it projektin e parkut të energjisë me erë Kitka me kapacitet prej 32 megavatësh.

Austria ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë, në vitin 2020 investimet arritën 256 milion euro

Sipas raportit, Austria është ndër investitorët më të mëdhenj të huaj në Kosovë, kryesisht për shkak të investimeve të bankës Raiffeisen. Raporti spikatë edhe investimet në fushën e sigurimeve përmes dy kompanive austriake, Wiener Stadtische dhe Uniqa, që kanë prezencë të fuqishme në Kosovë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, investimet direkte të Austrisë në Kosovë kanë arritur në 256 milion euro në vitin 2020, që paraqet një rritje prej 30 milion eurosh krahasuar me vitin 2018, thotë raporti.

Investime direkte të Austrisë janë bërë edhe në sektorin e energjisë së ripërtëritshme, ka nënvizuar raporti.

‘Investitorë të tjerë të rëndësishëm përveç kompanive të sigurimeve të përmendura janë Kelag, e cila operon hidrocentralin më të madh (22 gigavat) në vend me filialin e saj Kelkos’, thuhet në raport.

Panedmia do të zvogëlojë ekonominë në vitin 2020, parashikimet për vitin 2021 janë definitivisht pozitive

Sipas Odës Ekonomike Federale të Austrisë, rënie e ekonomisë në Kosovë gjatë vitit 2020 ka qenë deri në -5 për qind.

Mirëpo, në lidhje me parashikimet dhe duke marrë parasysh remitencat nga diaspora e Kosovës, fluksin e investimeve të huaja direkte dhe potencialin e rritjes së Kosovës, parashikimet për vitin 2021 pritet të jenë më pozitive.

Raporti ka nënvizuar se transferet e huaja do të vazhdojnë të mbështesin konsumin ndërsa investimet private do të rriten dukshëm në periudhën afatmesme.

Raportin e plotë mund t’a lexoni duke klikuar këtu.