Search

Oda Amerikane shpreh shqetësimin rreth heshtjeve të Qeverisë ndaj mundësive të ofruar nga SHBA-të për furnizim me gaz

June 19, 2026


Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj serioz lidhur me siç theksojnë mungesën e vazhdueshme të konsideratës nga ana e Qeverisë për thirrjet e përsëritura të SHBA-ve, për të mbështetur përfshirjen e Kosovës në infrastrukturën dhe rrjetin e furnizimit me gaz të lëngshëm natyror (LNG).

AmCham thekson se në një kohë kur Kosova vazhdon të mbetet tejmase e varur nga kapacitetet e vjetruara gjeneruese, importet e mëdha të energjisë elektrike dhe një treg rajonal energjetik gjithnjë e më i paqëndrueshëm, qasja në gazin e lëngshëm amerikan përfaqëson jo vetëm një mundësi energjetike, por edhe një zgjedhje strategjike.

“Diversifikimi i burimeve të energjisë, rritja e sigurisë së furnizimit dhe forcimi i konkurrueshmërisë ekonomike duhet të mbeten ndër prioritetet kombëtare të Kosovës.

Veçanërisht shqetësues është fakti se të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur zotimin e tyre për t’u bërë pjesë e infrastrukturës rajonale të LNG-së, e cila po zhvillohet me mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kosova rrezikon të mbetet jashtë një kornize strategjike rajonale që po përcakton gjithnjë e më shumë të ardhmen e sigurisë energjetike dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore”, thuhet në reagim.

Oda Amerikane vlerëson se partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbetet një nga asetet më të rëndësishme kombëtare të vendit.

“Shpërfillja e vazhdueshme e qëndrimeve dhe prioriteteve strategjike të aleatit më të afërt të Kosovës bart rrezikun e ndikimit në cilësinë dhe thellësinë e këtij partneriteti me kalimin e kohës.

Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje institucioneve të Kosovës që të rivlerësojnë me kujdes implikimet afatgjata strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike të qëndrimit jashtë nismave rajonale për LNG-në dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje me rëndësi të veçantë”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Këtë qasje mbështet dhe Oda Ekonimike e Kosovës

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet e Kosovës për përfshirjen e vendit në projektet rajonale të gazit natyror, duke e cilësuar këtë si të domosdoshme për sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

OEK paralajmëron se refuzimi ose mosangazhimi në projektet e gazit amerikan mund të ndikojë negativisht në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe në pozicionimin e Kosovës në zhvillimet energjetike rajonale.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor po avancojnë shpejt në zhvillimin e infrastrukturës së gazit dhe lidhjeve me burime alternative furnizimi, përfshirë projektet LNG me mbështetje ndërkombëtare. Mungesa e Kosovës në këto iniciativa e vendos vendin në disavantazh ekonomik dhe kufizon mundësitë për investime të reja strategjike”, thuhet në reagimin e OEK.

Në këtë drejtim, Oda Ekonomike e Kosovës i bën thirrje institucioneve që të intensifikojnë dialogun me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të siguruar përfshirjen aktive të Kosovës në projektet energjetike të së ardhmes.

OEK rikujton se ka kërkuar edhe më herët veprime urgjente në këtë drejtim, duke theksuar se diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zhvillimi i infrastrukturës së gazit janë thelbësore për sigurinë e furnizimit dhe rritjen ekonomike të vendit.

Furnizimi me gaz shihet si opsion i favorshëm nga disa ekspert

Profesori i energjetikës në Universitetin e Prishtinës, Vezir Rexhepi, ka vlerësuar se projektet që lidhen me gazin amerikan, duhet të trajtohen si prioritete strategjike për Kosovën.

Sipas tij, ky lloj investimi nuk është vetëm një ndërhyrje në sektorin energjetik, por një mundësi afatgjatë për transformimin e sistemit energjetik të vendit.

“Është projekt strategjik në kuptimin energjetik, energjisë për Kosovën dhe është projekt që në një mënyrë duhet parë si projekt themelor edhe strategjik edhe më mundësi që Kosovën ta shndërroj në një koncept të qëndrueshëm energjetik sepse Kosova vuan nga qëndrueshmëria energjetike,” ka deklaruar Rexhepi.

Ai theksoi se Kosova prej vitesh përballet me probleme të stabilitetit energjetik dhe, sipas tij, një projekt i tillë do të ndihmonte në zbutjen e kësaj varësie.

Rexhepi shtoi gjithashtu se nisma nuk duhet parë vetëm në kuadër vendor, por me një shtrirje më të gjerë rajonale të furnizimit me gaz amerikan, duke theksuar se “nuk duhet humbur kjo mundësi”.

SHBA-të kanë treguar fuqishëm interesin e tyre në furnizimin me gaz në Kosovë

Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit energjetik si një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve ekonomike të Shteteve të Bashkuara me partnerët evropianë, përfshirë edhe Kosovën.

Në përgjigje për shtëpin mediatike Dukagjinin, DASH është deklaruar se eksporti i energjisë amerikane luan rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës.

Sa i përket Kosovës, institucionet amerikane kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar në zhvillimin e sektorit energjetik, me fokus në diversifikimin e furnizimit me energji, përfshirë edhe gazin natyror.

“Eksporti i energjisë amerikane është një shtyllë qendrore në bashkëpunimin tonë ekonomik me partnerët evropianë. Eksportet e energjisë amerikane forcojnë sigurinë energjetike në Evropë.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë LNG-në amerikane”, thuhet në përgjigje.

Debati për orientimin energjetik të Kosovës është intensifikuar pas kërkesave amerikane që vendi të lidhet me rrjetin e gazit amerikan, ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka shprehur preferencë për alternativa të tjera, përfshirë lidhjen me centralin e Vlorës për import të energjisë elektrike, në vend të ndërtimit të një infrastrukture të brendshme për LNG.
/Telegrafi