Search

Nënshkruhet Marrëveshja e Implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”

August 04, 2026


Ministria e Ekonomisë dhe GIZ Kosovo kanë nënshkruar marrëveshjen e implementimit për projektin “Kosovo Energy Project”.

Ky projekt synon të mbështesë Kosovën në përmbushjen e obligimeve të saj në kuadër të Komunitetit të Energjisë përmes avancimit të masave për efiçiencë të energjisë dhe zgjerimit të përdorimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Kjo marrëveshje, së bashku me projektin “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik” shënojn hapa të rëndësishëm në partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

GIZ përforcon bashkëpunimin Kosovë-Gjermani për veprime klimatike dhe tranzicionin energjetik

Lexo më shumë

Kosovo Energy Project do të kontribuojë në përmirësimin e kornizës rregullative për investimet në efiçiencë të energjisë dhe sistemet e vetë-konsumit, zhvillimin e mekanizmave të financimit, forcimin e mbështetjes për investitorët, përmirësimin e planifikimit komunal, si dhe promovimin e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë.

Projekti financohet nga Qeveria e Gjermanisë me vlerë deri në 4 milionë euro dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës me rreth 4.022 milionë euro.

Në fjalën e saj me rastin e ceremonisë së nënshkrimit, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani-Mullarama, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson shumë më tepër sesa fillimin e zbatimit të një projekti të ri.

“Kjo marrëveshje pasqyron partneritetin e ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë, vlerat e përbashkëta dhe vizionin tonë të përbashkët për një të ardhme energjetike më të qëndrueshme për Kosovën. Bashkëpunimi ynë me GIZ-in dhe me Qeveritë e Gjermanisë dhe Danimarkës ka dhënë rezultate të rëndësishme në avancimin e reformave në sektorin e energjisë dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale. Jemi të bindur se ky partneritet do të vazhdojë të sjellë rezultate konkrete edhe në vitet në vijim”.