Search

GIZ përforcon bashkëpunimin Kosovë-Gjermani për veprime klimatike dhe tranzicionin energjetik

July 28, 2026


Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës, së bashku me GIZ Kosovo , kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen e Zbatimit për projektin “Mbështetje për Partneritetin për Tranzicionin Klimatik dhe Energjetik”.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Energjisë, kjo marrëveshja forcon bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në avancimin e politikave klimatike dhe agjendës së tranzicionit energjetik, raporton Kosovo Energy News.

Marrëveshja bazohet në bashkëpunimin ekzistues dhe synon një koordinim më të ngushtë ndërmjet partnerëve, duke përfshirë forcimin e dialogut politik, kapaciteteve institucionale, diplomacisë klimatike dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Përmesë këtij bashkëpunimi parashihen përpjekjet e përbashkëta për rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe nxitjen e angazhimit më të gjerë për adresimin e ndryshimeve klimatike dhe avancimin e tranzicionit energjetik, duke ndihmuar në shndërrimin e prioriteteve të përbashkëta në veprime konkrete në nivel institucional dhe shoqëror.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, u shpreh se ky partneritet përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit dhe në përshpejtimin e përpjekjeve për një tranzicion energjetik të qëndrueshëm.

“Bashkëpunimi me partnerët tanë ndërkombëtarë është thelbësor për avancimin e agjendës klimatike dhe energjetike. Përmes këtij projekti, ne do të vazhdojmë të forcojmë kapacitetet tona institucionale dhe të punojmë drejt zbatimit të politikave që mbështesin një të ardhme më të qëndrueshme energjetike për qytetarët,” u shpreh Shabani Mullarama.

Projekti mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Mjedisin, Veprimin Klimatik, Ruajtjen e Natyrës dhe Sigurinë Bërthamore (BMUKN), përmes Nismës Ndërkombëtare për Klimën (IKI), dhe zbatohet nga GIZ.