Search

Në Shqipëri ulet konsumi i energjisë elektrike, një nga shkaqet – rritja e vetëprodhuesve nga panelet diellore

22 Prill, 2024


Konsumi final energjetik gjatë vitit që shkoi pësoi ulje sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri.

Sipas ERE-s, ulja e konsumit të energjisë elektrike total për vitin 2023 shkon në rreth 6.4 %, krahasuar me konsumin maksimal për vitin 2021.

Po ashtu, sipas Entit Rregullator ulja e konsumit total të energjisë elektrike është reflektuar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, por veçanërisht për konsumatorët që furnizohen në tregun e parregulluar, të cilët për vitin 2021 kanë konsumuar rreth 1,361 GWh energji elektrike, për vitin 2022, rreth 929 GWh energji elektrike dhe për vitin 2023, rreth 858 GWh.

“Kjo ulje e konsumit ka ardhur edhe si pasojë e krizës energjetike, ku shumë biznese instaluan impiante alternative të gjenerimit të energjisë elektrike si vetëprodhues”, – vlerëson Enti Rregullator i Energjisë.

Gjatë vitit 2023, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në Shqipëri i ka dhënë statusin e veetëprodhuesit, 723 klientëve me një kapacitet total prej rreth 60.5 MWp, ndërkohë që në total që nga nisja e zbatimit të vendimit, që lejoi instalimin e këtyre impianteve numërohen 1532 vetëprodhues, me kapacitet total të instaluar prej 153.5 MWp.

Gjthsesi, numri i kërkesave për të marrë këtë status ishte edhe më i lartë gjatë vitit që shkoi, duke qenë se pranë OSSH u regjistruan 982 aplikime. Ndërkaq, numri më i lartë i kontratave dhe kapacitetetit të instaluar mbahet nga konsumatorët privatë, ndërsa pas tyre renditen familjarët. Po ashtu, rezulton se janë 27 institucione që kanë instaluar panele diellore për qëllime autokonsumatore, si dhe 6 ujësjellës.

/SCAN