Search

Ndërrim i rendit të furnizuesve: SHBA-ja bëhet eksportuesi më i madh i naftës në botë

June 15, 2026


Shtetet e Bashkuara janë bërë eksportuesi më i madh i naftës në botë, duke e kaluar Rusinë dhe Arabinë Saudite, në një ndryshim të madh në rendin global të tregut të energjisë.

Ky zhvillim vjen në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në furnizimet globale me energji.

Sipas të dhënave të tregut të transportit detar, eksportet amerikane të naftës dhe karburanteve kanë arritur rreth 10.5 milionë fuçi në ditë gjatë muajit maj, duke tejkaluar eksportet ruse, të cilat janë rreth 7 milionë fuçi në ditë, si dhe ato të Arabisë Saudite, raporton reuters.

Analistët theksojnë se kjo rritje e rolit të SHBA-së është nxitur nga prodhimi i lartë i naftës nga formacionet shale, si dhe nga ndërprerjet e furnizimeve globale të shkaktuara nga sanksionet ndaj Rusisë dhe trazirat në rajonet prodhuese të naftës.

Sipas raportit, ky ndryshim përfaqëson një kthesë historike për SHBA-në, e cila dikur ishte e varur nga importet e naftës nga Lindja e Mesme, ndërsa sot po shndërrohet në një nga aktorët kryesorë që përcakton çmimet dhe rrjedhën e tregut global të energjisë.

Ndryshe, Arabia Saudite eksportoi rreth 8.1 milionë fuçi në ditë (bpd) në vitin 2025, ndërsa eksportet ruse qëndruan në rreth 5.8 milionë fuçi në ditë, sipas të dhënave të Vortexa-s.

Çmimi i naftës bie në nivelin më të ulët të gati dy muajve

Njëkohësisht çmimi i naftës ka shënuar rënie të ndjeshme në tregjet ndërkombëtare, duke arritur nivelin më të ulët të gati dy muajve, pasi një fuçi Brent është tregtuar nën pragun e 90 dollarëve gjatë vikendit të fundit.

Sipas të dhënave të tregjeve energjetike, çmimi më i fundit të premten (më 12 qershor) ka zbritur në rreth 88.17$/fuçi, një nivel që nuk ishte regjistruar që nga 17 prilli, vetëm dhjetë ditë pas shpalljes së një armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit.

Ky zhvillim vjen pas disa ditësh luhatjesh të forta në treg, të nxitura nga përditësimet mbi bisedimet e paqes dhe pritshmëritë për ulje të tensioneve gjeopolitike.

Rënia nën 90 dollarë është konsideruar simbolike për tregjet, pasi ky nivel shpesh shihet si një pikë psikologjike për investitorët dhe kompanitë energjetike, shkruan skynews.

Edhe pse gjatë javëve të fundit çmimi ka treguar lëvizje të paqëndrueshme, kjo rënie e fundit shihet si reagim i drejtpërdrejtë ndaj sinjaleve për stabilizim të situatës ndërkombëtare dhe rritje të optimizmit për furnizimet globale.

Megjithatë, pavarësisht kësaj rënieje, çmimi aktual i naftës mbetet dukshëm më i lartë se periudha para konfliktit, kur një fuçi Brent tregtohej rreth 72 dollarë. Ky nivel ishte gjithashtu mbi mesataren e parashikuar për vitin 2025, duke treguar se tregu ende ndikohet nga pasiguritë e vazhdueshme dhe faktorët gjeopolitikë.

Analistët vlerësojnë se lëvizjet e fundit mund të jenë të përkohshme, duke qenë se tregu i energjisë mbetet i ndjeshëm ndaj çdo zhvillimi në Lindjen e Mesme, si dhe ndaj vendimeve të prodhuesve kryesorë të naftës për nivelet e prodhimit.

Në ditët në vijim pritet që investitorët të ndjekin nga afër çdo sinjal të ri nga negociatat ndërkombëtare, si dhe raportet mbi rezervat globale të naftës, të cilat mund të ndikojnë në drejtimin e mëtejshëm të çmimeve.
/Telegrafi