Search

“Na duhen të gjitha ngjyrat e hidrogjenit”! – Gjermania reagon për debatet në BE rreth energjisë bërthamore

22 Shkurt, 2023


“Kemi nevojë për të gjitha ngjyrat e hidrogjenit”, është kjo deklarata e ministrit gjerman të Financave, Christian Lindner, në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke iu referuar një mosmarrëveshjeje në Bruksel rreth hidrogjenit të prodhuar nga energjia bërthamore ose nga ajo e rinovueshme.

Ndërsa vendet e Bashkimit Europian debatojnë për rolin e mundshëm të hidrogjenit në dekarbonizimin e ekonomisë dhe reduktimin e varësisë nga karburantet fosile të importuara, ato po përpiqen të bien dakord mbi mënyrën se si duhet të prodhohet hidrogjeni.

Një debat rreth faktit nëse duhet fokusi në hidrogjenin e prodhuar duke përdorur energji të rinovueshme, si era dhe dielli, apo nëse duhet lejuar hidrogjeni me karbon të ulët prodhuar me energji bërthamore, ka vonuar negociatat mbi objektivat e reja të BE-së për energjinë e rinovueshme duke ‘kërcënuar’ ekzistencënm e një tubacioni hidrogjeni prej shumë miliardë eurosh.

Lindner u shpreh se hidrogjeni blu, që prodhohet nga gazi natyror dhe hidrogjeni i kuq, i cili prodhohet nga energjia bërthamore, mund të japë një kontribut shumë të rëndësishëm drejt vendosjes së ekonomisë së hidrogjenit në një fazë tranzicioni. Ai shtoi se hidrogjeni nga energjia e rinovueshme është i preferuar në terma afatgjatë, por në një afat më të afërt, BE-ja duhet të ndërtojë një strukturë tregu me një furnizim të besueshëm me çmime të përballueshme. Për këtë arsye ai theksoi se do të jetë e vështirë që Gjermania do të pozicionohej kundër kësaj në Europë.

Çështja është përçarëse jo vetëm në të gjithë Europën, por edhe brenda Gjermanisë, ku kundërshtimi është ende i lartë për energjinë bërthamore, edhe pse disa politikanë kanë thënë se është e nevojshme të zgjerohet përdorimi i saj tani, në një kohë që vendi nuk mund të mbështetet më në gazin e tubacionit rus që fuqizoi ekonominë për dekada.

Në negociatat e BE-së, Franca, e cila mbështetet shumë në prodhimin bërthamor, po udhëheq fushatën për të promovuar kontributin e energjisë bërthamore në uljen e emetimeve të CO2. Gjermania dhe Spanja kanë thënë se kjo rrezikon të zvogëlojë përpjekjet për të zgjeruar masivisht energjinë e rinovueshme.

/SCAN