Search

Mramori, në hall me rrugët dhe rrymën

13 Shkurt, 2024


Në vitin 2024, qytetarët e fshatrave të Kosovës vazhdojnë të pengohen nga rrugët e parregulluara dhe shtyllat e rrëzuara.

E tillë është historia e Visar Gashit nga fshati Mramor.

Rreth 30 minuta larg Prishtinës, infrastruktura e dobët e ka detyruar Gashin që të largohet nga shtëpia që ia lanë trashëgimi të parët, duke gjetur një vendbanim të ri në Prishtinë.

Tashmë, të lidhur për Mramorin dhe shtëpinë atje, Gashi thotë se po e mban vetëm nostalgjia për prindërit dhe historitë e tyre atje.

Rruga “Bali Hamit” në fshatin Mramor të Prishtinës ka kohë që është e prishur dhe si pasojë u është kufizuar lëvizja fshatarëve atje.

Sipas Gashit, gjendja e rrugës po ia vështirëson udhëtimin e tij Mramor – Prishtinë, duke e bërë kështu që të minimizojë vizitat e tij në fshat.

Derisa fshati Mramor po zbrazet nga banorët, Gashi i shqetësuar është drejtuar për në Komunën e Prishtinës.

Ashtu siç ndodh zakonisht, ai e mori një premtim nga përgjegjësit e komunës së rruga do të rregullohet, por duket se Gashit nuk iu mbush mendja se premtimi do të bëhet realitet.

Krahas dëmtimit të rrugës, tejet të rrezikshëm udhëtimin për në Mramor po e bën edhe rrëzimi i shtyllës elektrike, që gjendet brenda pronës së tij.

Për KIKS-in, Visar Gashi ka thënë se kalimi nëpër atë pjesë mund të jetë me fatalitet për të dhe të tjerët.

Dëmtimet që vijnë kohë pas kohe si pasojë e vjetërsisë së telave të rrymës, Gashi dhe fqinjët e tij po detyrohen t’i financojnë nga xhepat e tyre.

Qëndrimin atje, qoftë edhe vetëm për një fundjavë, po ua bën të pamundur edhe rryma njëfazore që posedon ky fshat.

Sipas Gashit, është shqetësues fakti që një fshat kaq afër kryeqytetit të përballet me mungesa e probleme të tilla.

Nga tensioni i ulët i energjisë elektrike, Visar Gashi pati edhe humbje të tjera. Atij iu dëmtuan pjesa më e madhe e pajisjeve elektrike në shtëpinë e tij në Mramor.

Prindërit janë arsyeja kryesore që Gashi po e bën gjithë këtë mund që shtëpinë në fshat ta bëjë vend të jetueshëm.

Ai tha se prindërit vazhdojnë të jenë tejet të lidhur emocionalisht me fshatin dhe shtëpinë atje.

Kushtet dhe situata e krijuar po e bëjnë të pamundur që t’i dërgojë prindërit në fshat sa herë që ata duan të shkojnë e të qëndrojnë atje.

Lidhur me rrëzimin e shtyllës së energjisë elektrike dhe tensionin e ulët të energjisë atje, Kiks Kosova, më 12 shkurt, kontaktoi KEDS-in për të marrë sqarime se çka ka ndodhur dhe nëse ka afat për rregullimin e këtij problemi.

Duket se KEDS-i kësaj here zgjodhi të punojë në heshtje.

Përmes një përgjigjeje me shkrim, zëdhënësi i KEDS-it, Lulëzim Krasniqi, ka thënë se një ekip i KEDS-it ka qenë gjatë ditës së sotme për inspektim të rrjetit dhe shtylla, për të cilën Kiksi ka pyetur, do të zëvendësohet me një të re. Bashkë me të edhe përçuesi i dëmtuar.

Interesimi i emisionit për shqetësimin e Visar Gashit nga fshati Mramor i Prishtinës duket se ka vënë në lëvizje motorët e institucionit.

Mbetet të shihet nëse terreni i sotëm i ekipit të KEDS-it do të ndikojë që Komuna e Prishtinës të vihet në lëvizje e të investojë në infrastrukturën rrugore.

/Klankosova.tv