Search

Ministria e Ekonomisë publikon draft strategjinë kombëtare të energjisë, hap procedurën e konsultimit publik

07 Qershor, 2022


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli përmes një konferencë për media ka prezantuar strategjinë për energji, 2022-2031.

Në një konferencë për medie të martën, Ajo ka thënë se deri në finalizimin e Strategjisë për Energjisë është bërë punë e gjatë nga një grup i madh ekspertësh.

Sipas saj, procesin e konsultimit paraprak para fillimit të draftimit të strategjisë e kanë filluar një vit më parë dhe në tetor është krijuar grupi punues.

Rizvanolli ka thënë se analizat teknike janë bërë nga një grup i ekspertëve të pavarur.

“Angazhimi i këtyre ekspertëve është bërë me përkrahje të USAID-it. Qeveria e Kosovës e ka mbajtur pronësinë dhe vendimmarrjen gjatë këtij procesi. Gjatë zhvillimit të strategjisë ka pasur dialog me të gjitha palët por edhe me ekspertë. Janë mbajtur dhjetëra takime me ekspertë, OJQ, biznese, organizata ndërkombëtare. Ka pasur shumë ide për rrugën që duhet ndjekur, por pika ku do të arrijmë ka qenë e qartë nga fillimi”, ka thënë ajo.

Rizvanolli në pika të shkurta ka folur mbi përmbajtjen e strategjisë ndërsa bëri të ditur se strategjia është në konsultim publik nga sot e për tre javë me radhë. Ajo ka thënë se ka qenë shumë e rëndësishme që strategjia të jetë e balancuar sa u përket ideve dhe kritikave të ekspertëve të ndryshëm te sektorit.

Strategjia parasheh investime në termocentralet me qymyr

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë prezantimit të Strategjisë Energjetike për vitin 2022-2031, ka njoftuar se strategjia në fjalë parasheh investim në termocentralin “Kosova B”, në atë mënyrë që të rritet efiçienca e saj, për të prodhuar kësisoj sasi më të madhe të energjisë elektrike.

Përveç termocentralit “Kosova B”, Rizvanolli ka njoftuar se strategjia në fjalë parasheh edhe rivitalizimin e termocentralit “Kosova A”, procedura e cila, sipas saj, do të nisë sa më shpejt që është e mundur.

“Do të punojmë për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërtëritshme të energjisë nga dielli dhe nga era, në mënyrë që nga viti 2028 njësitë e rivitalizuara të Kosovës A të kenë nevojë të punojnë vetëm gjatë muajve të dimrit”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli: Deri në vitin 2031, 35% e energjisë elektrike do të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme

Rizvanolli, më tej, ka bërë të ditur se strategjia energjetike parasheh që brenda tri viteve të ketë prodhim të energjisë elektrike deri në 500 megawat përmes burimeve të ripërtëritshme.

“Kjo do të arrihet duke shtuar kapacitetet e energjisë diellore dhe kjo do të thotë që, në vitin 2025, ne do të kemi dy herë më shumë kapacitete të burimeve të ripërtëritshme të energjisë krahasuar me atë që kemi pasur gjatë vitit 2021”, ka shtuar ajo.

Ministria e Ekonomisë synon gjithashtu që, deri në vitin 2031, kapacitetet e energjisë elektrike të prodhuara nga burimet e ripërtëritshme të rriten në 1 mijë e 400 megawat.

“Deri në vitin 2031 synojmë që, së paku 35 për qind e konsumit të energjisë elektrike, të gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme, ndërsa ndotjen nga termocentralet ta ulim për së paku 32 për qind”.

Qeveria e Kosovës, sipas Rizvanollit, është e përkushtuar që transformimin e sektorit të energjisë elektrike ta bëjë duke pasur për bazë drejtësinë sociale.

“Për herë të parë, qytetarët do të jenë në qendër të së ardhmes energjetike, duke siguruar që ata të kenë qasje në energjinë elektrike me kosto të përballueshme”.

E për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë në veri, ka thënë se parashihet realizimi i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015 dhe konkluzioneve që i kanë paraprirë asaj. Sipas saj, ajo marrëveshje lejon që të fillojë faturimi brenda disa muajve në veri të Kosovës.

Rizvanolli ka thënë se çështja e faturave do të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur.

KËTU mund të gjeni strategjinë.