Search

Më 2027 Sllovenia vendosë për ose kundër ndërtimit të njësisë së re bërthamore në Krsko

21 Dhjetor, 2021


Ndërmarrja shtetërore sllovene Gen-Energija do të sjellë vendimin përfundimtar në lidhje me ndërtimin e njësisë së dytë në centralin bërthamor Krsko deri në vitin 2027, kanë konfirmuar mediat në këtë vend.

‘Nëse na duket e arsyeshme dhe nëse tregu e kërkon, ne mund të sjellim këtë vendim edhe më herët’, ka thënë Kryeshefi i Gen-Energija, Danijel Levicar, kanë konfirmuar mediat lokale sllovene.

Vetëm një njësi bërthamore e këtij centrali nuk po del të jetë e mjaftueshme për të mbuluar kërkesën në rritje për energji elektrike të konsumatorëve në Kroaci dhe Slloveni, krahas edhe mungesës së energjisë elektrike në gjithë rajonin.

‘Njësia e dytë në Krsko do të lehtësojë jashtzakonisht shumë cmimet e energjisë elektrike’, ka thënë Levicar.

Në rast të ndërtimit të njësisë së dytë, energjia bërthamore do të kontribuojë me prodhim vjetor të rrymës prej 9 teravatësh, nga 10 teravat sa synon Sllovenia të ketë sipas planit të transformimit energjetik deri në vitin 2035, ka thënë Levicar.

Në korrik, ministria e infrastrukturës në Slloveni ka dhënë lejën energjetike për ndërtimin e njësisë së dytë bërthamore në Krsko, duke lejuar kështu zbatimin e procedurave administrative dhe përgatitjen e dokumenteve të nevojshme për të lejuar investimin në projekt.

Planet e Sllovenisë për ndërtimin e njësisë së dytë u kundërshtuan nga Austria, ku kushtetuta nuk lejon përdorimin e energjisë bërthamore për furnizimin me rrymë.

Centrali bërthamor Krsko është i vendosur në afërsi të kufirit me Kroacinë dhe mbulon rreth 40% të nevojave të Sllovenisë për rrymë.

Centrali është i vendosur rreth 100 kilometra larg Austrisë dhe është në pronësi të përbashkët të Sllovenisë dhe Kroacisë.