Search

Maqedonia e Veriut përzgjedh Fides nga Turqia për impiantet fotovoltaike në zona industriale

12 Mars, 2024


Ndërmarrja turke Fides Elektrik Nerjisi është përzgjedhur nga Maqedonia e Veriut brenda kornizës së partneritetit publiko-privat për ndërtimin e dy impianteve solare me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej afër 8 megavatësh. Impiantet do të ndërtohen në zonat industriale në Strumicë dhe Strugë.

Thirrja publike për partneritet publiko privat në ndërtimin e impianteve fotovoltaike ishte shpallur nga Drejtoria për Zhvillimin e Zonave Industriale-Teknologjike në Maqedoni të Veriut në nëntor të vitit të kaluar.

Thirrja ishte lansuar në pajtim me Ligjin për Prokurim Publik në Maqedoninë e Veriut ndërsa kushtet ishin të njejta për ndërmarrjet lokale si dhe ato ndërkombëtare. Përveç Fides nga Turqia, në thirrje kishte aplikuar vetëm edhe një konsorcium tjetër izraelo-kinez.

Ndërmarrja që është përzgjedhur, Fides Elektrik Enerjisi është pajtuar ti paguajë qeverisë së Maqedonisë së Veriut 10% nga përfitimet nga prodhimi i energjisë elektrike. Kontrata ka kohëzgjatje 25-vjeçare ndërsa pas përfundimit të saj, ndërmarrja turke është e obliguar t’i dorëzojë qeverisë impiantet solare, me rreth 80% të kapacitetit fillestar të prodhimit.

Ndërmarrja përfituese Fides gjithashtu do të paguajë 65 cent në vit për metër katror për pronën që do të shfrytëzohet për nevoja të projektit.

Thirrja tjetër për partneritet publiko-privat për ndërtimin e impianteve solare në Maqedoni të Veriut do të publikohet në fund të muajit. Thirrja do të përfshijë rreth 40 hektarë sipërfaqe tokësore në Shkup, Shtip dhe Prilep.