Search

Lulzim Syla nga ELEN shpalos planet për instalimin e 200MW të kapaciteteve solare në 5 vitet e ardhshme

29 Korrik, 2021


Kosova, me një mbështetje simbolike prej 4 deri në 5 milionë euro në vit, ka potencialin për të instaluar deri në 200 MW në kapacitetet diellore në kategoritë e biznesit dhe amvisërive, deklaroi Lulzim Syla nga ELEN në Forumin e Solareve në Kosovë 2021.

Përgjatë forumit të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe USAID në Kosovë që kishte për qëllim elaborimin e sfidave por edhe mundësive për zhvillimin e kapaciteteve solare në Kosovë, Lulzim Syla nga ELEN ishte ftuar si panelistë për të sqaruar edhe anën e zhvilluesit të projekteve të tilla në Kosovë.

Syla: Dhjetëra dokumente dhe aplikime dhe një periudhë pritjeje që zgjat deri në muaj është thjesht e panevojshme

Ai theksoi se sfidat dhe problematikat e parashtruara nga procese të tejzgjatura burokratike dhe aplikime të shumta vetëm se po prolongojnë në mënyrë të paarsyshme dhe po vështirësojnë zhvillimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Në këtë mënyrë Syla sqaroi se rreth 18 dokumente kërkohen që një projekt të implementohet dhe të komisionohet, në procese që mund të zgjasin muajë e jo javë, e që sipas Sylës për një projekt të vogël prej 3kV që zakonisht kërkohet nga amvisëritë është thjesht e panevojshme.

“Sa i përket redutkimit apo zvogëlimit të barrierave të procedurave për licensim, të një gjeneratori duhet të merren parasysh se janë 18 dokumente që na kërkohen për me kalu një projekt me u implementu dhe me u komisionu apo me u lshu në funksion”, tha ai.

“E dokumentet e nevojshme janë 13 për aplikim në komunë për përlqim urban, 3 kopje fizike një elektronike, dhe varësisht nga kërkesa e zyrtarit komunal mund të qëlloj pa disponim dhe të kërkoj edhe diçka tjetër, dhe kjo periudhë zgjat 1 deri në 2 muj, mund të imagjinoni sfida kemi për të implementuar një projekt 100kV, 500kV apo 1MW”, theksoi ai.

“Po kaloj në pikën tjetër, aplikimi në KEDS për evidim të kërkesës për rritje të fuqisë. Edhe kjo është fazë e nevojshme për disa klientë ku i lypin vetëm pesë dokumenta dhe zgjatë vetëm 1 muaj, e kemi aplikimin në KEDS për pëlqim për kycje në rrjet i bie edhe kjo 9 dokumenta dhe zgjatë 1 muaj, dhe aplikimi në ZRrE për marrje të vendimit edhe kjo zgjatë pothuajse 1 muaj për shkak të nevojës që me kalu në bord për me u apliku”, theksoi Syla.

“Në këtë mënyrë, aplikimi sidomos për pjesën e biznesit mbetet të shqyrtohet edhe një herë mes ZRrE-së dhe komunitetit të biznesit, por për familje sidomos është mëse e panevojshme që për një 3kV apo 5kV të ketë nevojë ZRrE të votojë”, tha ai.

Me një mbështetje prej 4-5 milion euro në vit nga qeveria Kosova ka potencialin për të implementuar 100 deri në 200MW kapaciteteve solare për 5 vitet e ardhshme

Për më tepër, përtej pengesave dhe vështirësive burokratike, Syla gjithashtu shpalosi një studim i cili paraqiti një platformë të një skeme financiare e cila do të zbulonte potencialin e energjisë diellore të Kosovës, veçanërisht për komunitetin e biznesit.

Ai shpjegoi se Kosova mund të instalojë deri në 200 MË në kapacitete diellore brenda pesë viteve të ardhshme me një mbështetje të arsyeshme prej 4 deri në 5 milion euro në vit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Në këtë drejtim sa i përket sigurisë energjetike ne kemi identifikuar se potenciali është diku prej 100 deri në 200MW që kanë mundësi të implementohen në biznese private”, theksoi Syla.

“Por çka duhet të bëhet për këtë? Ne e kemi bërë një analizë që ka dalë se financiarisht nëse duam të implementojmë prej 100 deri në 200MW do të mjaftonte një mbështetje prej vetëm 20% që në vlera financiare i bije 4-5 milion në vit, që për pesë vitet e ardhshme ne t’i implementojmë minimum 100 e në maksimum 200MW kanë potencial bizneset private”, tha Syla.

Me vetëm 10 përqind të mbulimit të projektit dhe largimin e TVSH-së mund të instalohen 100MW në sektorin rezidencial në 10 vitet e ardhshme

“Ne e dijmë edhe sa metra katror i kanë kulmet edhe sa kanë potencial edhe sa kanë konsum, gjitha matjet teknike i kemi”, insistoi Syla.

Duke u thirrur në një studim të mëparshëm të prezantuar nga Dr. Lorik Haxhiu, ai theksoi se edhe sektori rezidencial përbënë një potencial instalues prej 100MW brenda dhjetë viteve të ardhshme, gjithmonë me një mbështetje prej 10% nga ana e qeverisë dhe largim të taksës së vlerës së shtuar.

“Këtu u prezantuan 8,000 shtëpi, mirëpo potenciali i shtëpiave me kulma të kuq në Kosovë është shumë i madh, mirëpo ne e kemi bërë një llogaritje preliminare diku rreth 25,000 shtëpi mund të instalohen për 100MW për 10 vitet e ardhshme. Ku vetëm me 10% mbështetje, duke larguar TVSH-në, dhe me 10% mbështetje nga ana e qeverisë do të kishte mundësi të krijohej edhe një impakt jashtëzakonisht i madh prej 100MW.

“25MW kanë mundësi të implementohen në institucione publike, këto institucione publike nuk kanë nevojë për subvencione për shkak se kjo është prej buxhetit të Kosovës dhe ka mundësi me donatorë”, tha ai.

Bujqësia ka përfituar mbi 400 milion euro në shtatë vitet e fundit, ne po kërkojmë vetëm 5 milion në vit për të arritur këto rezultate

Në këtë mënyrë, përfaqësuesi i sektorit privat iu referua mbështetjes që Ministria e Bujqësisë po siguron për pjesëmarrësit e sektorit të saj, ku edhe sektori i energjisë po përfiton për shkak të elementit të energjisë së ripërtëritshme të zbatuar në skemën e saj mbështetëse.

Kështu, ai deklaroi thjesht se nëse Qeveria është e gatshme të vërë në dispozicion më shumë se 400 milionë euro në shtatë vitet e fundit për bujqësinë, atëherë shuma prej 4 ose 5 milionë në vit për sektorin e energjisë nuk do të paraqiste një barrë të pakalueshme.

“Ne e dijmë që për rreth 7 vite Ministria e Bujqësisë i ka dhënë mbi 400 milion euro, me mbështetje të Komisionit Evropian, për fondet ku me mijëra fermrerë kanë përfituar prej tyre”, tha ai.

“Aty kanë qenë edhe komponenta e energjisë solare, përderisa qeveria e Kosovës ka pasë gatishmëri për të mbështetur me 25 deri në 50 milion cdo vit bujqësinë, unë besoj që ka gatishmëri për sigurinë energjetike për 10 vitet e ardhshme me mbulu me 4 apo 5 milion euro komunitetin e biznesit dhe familjet për me i implementu ne dhe me u arritë caqet minimale”, theksoi Syla.