Search

Lorik Haxhiu: Kosova mund të ketë deri në 500 MW energji solare të instaluar deri më 2030

27 Korrik, 2021


Kosova ka kornizë ligjore dhe ka arritur mjaft në zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë në sektorin e energjisë, por korniza ligjore primare dhe sekondare për energjinë e ripërtëritshme, klimën, mjedisin, efiçiencën e energjisë, ende nuk është zhvilluar mjaftueshëm. E përveç këtyre, Kosova gjithashtu nuk ka të zhvilluar kornizën ligjore për gazin natyror dhe sektorin e derivateve.

Kështu ka thënë Dr. Lorik Haxhiu nga programi i USAID për siguri të furnizimit me energji elektrike në Kosovë, ndërsa po prezantonte të gjeturat për sektorin solar në Forumin e Solareve në Kosovë 2021, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe USAID në Kosovë.

Kosova ka potencial mesatar për zhvillimin e kapaciteteve energjetike solare: 1 kilovat i instaluar prodhon 3.7 kilovat orë energji elektrike në ditë

Në shkallë globale, Kosova ka potencial mesatar për zhvillimin e kapaciteteve energjetike solare. Për 1 kilovat të kapacitetit të instaluar, Kosova do të prodhonte mesatarisht 3.7 kilovat orë në ditë, apo 1,350 kilovat orë në vit, ka thënë Haxhiu.

‘Ka prodhim të bollshëm vjetor të energjisë që mundësojnë kthimin e investimeve në periudhë të arsyeshme kohore’, ka përfunduar Dr. Haxhiu ndërsa po prezantonte rezultatet e hulumtimit.

Në Kosovë ka më së paku tri kategori kryesore të projekteve solare dhe këto përfshijnë prodhuesit në shkallë të madhe, prodhuesit për vet-konsum dhe kategoria që përfshinë instalimet prapa-njehsorit.

Prodhuesit në shkallë të madhe përfshijnë të gjitha projektet me mbi 100 kilovat orë kapacitet të instaluare. Disa nga këto projekte gëzojnë përkrahje nga skema e përkrahjes në formë të tarifave-nxitëse, dhe të gjitha këto projekte janë zbatuar me sukses, ka sqaruar Dr. Haxhiu.

Prosumerëve u lejohet të kthejnë tepricat e energjisë së prodhuar në rrjet dhe ndihmon bizneset të zvogëlojnë faturat e rrymës

Kategoria e prodhuesëve për vet-konsum ndahet në dy nënkategori. Nënkategoria e parë përfshinë prosumerët, apo të gjithë konsumatorët të kyçur në rrjetin e tensionit të ulët të distribuimit të energjisë elektrike për nevoja vetanake dhe me kapacitet të instaluar deri në 100 kilovat.

Këtyre konsumatorëve u lejohet të kthejnë energjinë e prodhuar në rrjet dhe të konsumojnë këto vlera deri në fund të vitit.

Nënkategoria e dytë në kuadër të prodhuesëve për vet-konsum përfshinë instalimet prapa-njehsorit.

‘Kjo kategori nuk është e rregulluar nga ndonjë kornizë ligjore por përfshinë investitorë që mëtojnë të zvogëlojnë faturat e energjisë elektrike. Kësisoji, ata instalojnë projekte fotovoltaike për të zvogëluar vlerat e rrymës së tërhequr nga rrjeti. Në këtë kategori, energjia elektrike nuk mund të kthehet prapa në rrjet, sikurse te prosumerët’, ka sqaruar Dr. Haxhiu.

Kategoria e tretë e projekteve janë projektet e pavarura, apo jo të kyçura dhe / ose identifikuara në rrjet. Këto përfshijnë projekte të vogla solare në sektorin e bujqësisë, gjithashtu të përhapura anembanë Kosovës.

Kapaciteti i instaluar i energjisë solare në Kosovë në fund të 2020 ishte 20.9 megavat

Lexo më shumë

‘Rreth 3,7% të kapaciteteve solare janë krijuar përmes granteve bujqësore. Këto projekte, edhe pse të vogla dhe jasht rrjetit, kanë ndikuar në krijimin e një industrije të re në Kosovë. Si rezultat, ne tani kemi rreth 15 kompani me shumë përvojë në Kosovë’, ka thënë Dr. Haxhiu.

Nga 20.9 megavatët e instaluar të energjisë solare në Kosovë, 10 megavat janë të bazuara në tarifa nxitëse

Sipas raportit të USAID, të publikuar edhe nga Kosovo.Energy, Kosova ka rreth 20.9 megavat kapacitete energjetike solare të instaluara.

‘Totali është 20.9 megavat dhe përfaqëson vetëm 0.04% të kërkesës për energji elektrike. Kjo është ku jemi ne sot’, ka thënë Dr. Haxhiu gjatë prezantimit të rezultateve të raportit të USAID.

Nga 20.9 megavatët e instaluar të energjisë solare, 10 megavat janë të bazuara në tarifa nxitëse, por se kjo praktikë tani është ndaluar.

‘Ne kemi edhe rreth 5.6 megavat të instaluar në kategorinë prapa-njehsorit, e që nuk janë të rexhistruar nga asnjë procedurë. Deri në fund të vitit 2020 kemi shënuar edhe 1.6 megavat kapacitete me prosumerë dhe 3.7 megavvat të kapaciteteve të instaluara përmes skemës së granteve në sektorin e bujqësisë’, ka sqaruar Dr. Haxhiu.

Brenda 20.9% të totalit të kapaciteteve solare të instaluara, 40% kilovatëve të instaluar kanë përdorur pajisje me origjinë nga Kosova, anipse nëse krahasohet me numër të projekteve, kjo përqindje del të jetë më e vogël.

Në total, diku rreth 1,300 projekte solare janë zhvilluar në Kosovë.

Raporti parashikon 500 megavat kapacitete të instaluara solare në vitin 2030, nga të cilat 250 janë për vet-konsum

Sipas kalkulimeve të bazuara në diskutime, analiza të dokumenteve strategjike dhe politike, trende dhe intervista me kompanitë instaluese dhe zhvilluese të projekteve solare, Kosova mund të ketë rreth 500 megavat kapacitete të energjisë solare të instaluara deri në vitin 2030, ka sqaruar Dr. Lorik Haxhiu.

Vetëm në projektet e kategorisë ‘vet-konsum’, Kosova mund të ketë deri në 250 megavat kapacitete solare të instaluara, dhe sipas raportit, kjo nënkupton rreth 300 milion euro investime dhe përfshinë investime në 8,000 amvisëri, 1,000 biznese dhe 2,000 ndërtesa publike, dhe ndikon në krijimin e rreth 1,500 vendeve të punës, ka sqaruar Haxhiu.

‘Nëse kombinojmë projektet e kategorisë ‘vet-konsum’ me projekte tjera të mëdha të bazuara në procese të ankandeve dhe në tenderim, ne mund të supozojmë se kapacitetet e përgjithshme të instaluara solare mund të jenë rreth 500 megavat deri në vitin 2030. Kjo përkthehet në 11% të kërkesës së përgjithshme për energji elektrike’, ka thënë Haxhiu.

Kjo mund të ndihmojë Kosovën në arritjen e caqeve të reja të prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme, të cilat duhen negociuar deri në fund të këtij viti dhe që sipas të gjitha gjasave, do të jenë mbi 30%, ka sqaruar Dr. Haxhiu.

Zhvillimi i sektorit solar kërkon investime në rrjetin e tensionit të ulët të distribuimit të energjisë elektrike

Bazuar në studime preliminare, raporti i USAID thekson se sistemi i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Kosovë është gati të pranojë projekte të mëdha solare të bazuara në ankande, sidoqoftë, situate duket të jetë tjetër në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike.

‘Nevojiten investime në rrjetin e distribuimit të energjisë elektrike për të fuqizuar rrjetin dhe për të lejuar integrimin e këtij numri të madh të projekteve. Në dy nivelet (transmetim dhe distribuim), pengesat ndërlidhen me mungesën e fuqivë rezervë, njësive fleksibile dhe të ruajtjes së energjisë elektrike’, ka thënë Dr. Haxhiu gjatë prezantimit të raportit të USAID.

Gjatë konerencës, Dr. Haxhiu ka folur edhe për sfidat e financimit të projekteve solare. Ai ka thënë se në përgjithësi, korniza ligjore në Kosovë i përkrahë këto investime, por se të njejtat mund të duken jo-atraktive për shkak të çmimeve por edhe procedurave zyrtare.

‘Në përgjithësi, ligjet përkrahin këto investime. Por, në rrugën para ka shumë sfida. Në kategorinë e amvisërive çmimet janë relativisht të larta, kjo pasi projektet janë të vogla. Në anën tjetër, procedurat deri më tani ishin të ngadalshme dhe të komplikuara ndërsa qasja në financa ishte rregulluar përmes kredive personale dhe kërkesave të larta për kolateral’, ka sqaruar Dr. Haxhiu, ndërsa ka shtuar se me probleme të njejta përballen edhe bizneset.

Deri më tani, rreth 1300 projekte solare janë zbatuar në Kosovë dhe këto janë financuar përmes granteve, bankave lokale dhe së fundmi, edhe përmes disa institucioneve tjera financiare sikurse Fondi Kosovar për Garanci Kreditore apo edhe programet e BERZH.

Mungesa e fuqisë punëtore, ndër sfidat kryesore e zhvillimit të sektorit të energjisë solare

Ndërsa ndikimi social i këtyre projekteve është mjaft pozitiv, ndër sfidat kryesore të zhvillimit të sektorit të energjisë solare në Kosovë është mungesa e fuqisë së aftë punëtore në vend.

Raporti liston mungesën e fuqisë së aftë punëtore, mungesën e vetëdijës për potencialin dhe mundësitë për zhvillim të karrierës në këtë sektor dhe planprogramet e dobëta arsimore si ndër sfidat kryesore në fushën e edukimit.

Për momentin, rreth 15 kompani janë të përfshira në ofrimin e shërbimeve dhe produkteve në sektorin e energjisë solare në Kosovë, nga të cilat 5 janë të angazhuara ekskluzivisht vetëm në këtë sektor, thuhet në raport.