Lindja Solar- Inagurohen punimet për parkun solar 105 MW në Rahovec
July 16, 2026
Inaugurohen punimet e parkut solar 105 MW në Kramovik të Rahovecit, si rezultat i ankandit të Ministrisë së Ekonomisë.
Si rezultat i ankandit të parë të Ministrisë së Ekonomisë, në Kramovik të Komunës së Rahovecit, janë inauguruar punimet e parkut solar fotovoltaik me kapacitet prej 105 MW, një investim i rëndësishëm që shënon një hap të ri në përmbushjen e objektivave të Republikës së Kosovës për zhvillimin e energjisë së ripërtërishme, rritjen e sigurisë energjetike.
Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë: kryeministri Albin Kurti, ministrja eekonomisë, Artane Rizvanolli, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, përfaqësuesit e projektit “Lindja Solar”, Linda Helms, Destan e Avni Orllati si dhe partnerë të sektorit të energjisë.
Ministrja Rizvanolli, gjatë fjalimit të saj tha se: “Rruga nga ankandi deri te ndërtimi nuk përbëhet vetëm nga puna që shihet në terren. Lejet, studimet, projektimi, financimi, prokurimi i pajisjeve dhe marrëveshjet për kyçje nuk prodhojnë gjithmonë fotografi, por pa to nuk do të prodhohej asnjë megavat energji.
Ky investim është edhe një votëbesim për Kosovën, institucionet e saj dhe të ardhmen e sektorit tonë energjetik. Ky projekt bashkon kapitalin dhe përvojën e diasporës me ekspertizën e kompanive vendore dhe ndërkombëtare”, raporton Kosovo Energy News.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i projektit “Lindja Solar”, Destan Orllati, u shpreh se; “Sot nuk po fillojmë vetëm një kantier ndërtimi, por po ndërtojmë disa muaj punë, bashkëpunim dhe besim. Një projekt i tillë nuk mund të realizohet nga një palë e vetme, ky është rezultat i besimit dhe bashkëpunimit me institucionet e Kosovës. Mundësia për ta realizuar këtë projekt në Kosovë është një nder dhe privilegj. Ky projekt do të prodhojë energji elektrike nga burime të ripërtëritshme, por rëndësia e tij shkon përtej kësaj, ai do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës, në zhvillimin ekonomik dhe në zgjerimin e tranzicionit energjetik për dekadat e ardhshme”.
Në fjalën e tij, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, theksoi se; “Parku do të ketë kapacitet prej 105 megavatësh për kyçje në rrjet ku ky kapacitet tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellur në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë ku secili ka qasje në të gjithë dokumentacionin, investitorët informohen në gjithë njësoj dhe konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta. Ky model tashmë është vendosur, është dëshmuar dhe do të vazhdojë”.
Në ankandin konkurrues për parkun solar morën pjesë pesë kompani dhe konsorciume: Orllati (VD) SA, Çalık–Limak Rahovec SPP Consortium, Güris İnşaat ve Mühendislik A.Ş., Akuo Energy SAS dhe Elsewedy Electric S.A.E., kompani këto me reputacion nga gjashtë shtete, që përfaqësonin investitorë nga Kosova, Zvicra, Gjermania, Turqia, Franca dhe Egjipti. Fitues u shpall Konsorciumi Orllati, me origjinë nga diaspora në Zvicër dhe partnerë ndërkombëtarë, me çmimin fitues prej 48.88 euro/MWh.
Interesi i kompanive ndërkombëtare dhe zhvillimi i procesit përmes një dialogu të hapur e transparent, me raunde të shumta sqarimesh, dëshmuan konkurrencën dhe transparencën e lartë të ankandit.

Gjatë kësaj ceremonie, kryeministri Kurti tha se ankandi ka dëshmuar një model transparent dhe konkurrues, i cili do të vazhdojë të zbatohet edhe në projektet e ardhshme energjetike.
Sipas tij, çmimi prej 48.88 euro për megavat-orë është rezultat i konkurrencës mes pesë ofertuesve.
“Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë, ku secili ka qasje në gjithë dokumentacionin, investitorët informohen njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se projekti ka rëndësi jo vetëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, por edhe për përfshirjen e diasporës në investime, duke bërë të ditur se kompania udhëheqëse e konsorciumit fitues, Orllati Group, është zhvilluar në Zvicër.
Duke folur për planet në sektorin e energjisë së ripërtërishme, Kurti njoftoi se ankandi i radhës për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë nga era deri në 100MW ndodhet në fazën përfundimtare të ofertimit.
Ai bëri të ditur se në këtë proces janë parakualifikuar tre ofertues, nga Franca, Gjermania dhe Kosova, si dhe nga Turqia.
Kurti përmendi gjithashtu se parku eolik në Zatriq me kapacitet prej 70MW është pranë përfundimit, ndërsa KEK, me mbështetjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), pritet të tenderojë një park të ri solar me kapacitet prej 100MW.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë tha se strategjia energjetike e Kosovës synon rritjen e prodhimit vendor përmes modernizimit të termocentraleve me thëngjill, zhvillimit të projekteve të energjisë diellore dhe të erës, investimeve në rrjet, bateri për ruajtjen e energjisë, masave për efiçiencë energjetike dhe integrimit të tregut energjetik me Shqipërinë dhe Evropën.
Ai shtoi se Qeveria synon përdorimin e përgjegjshëm të thëngjillit, me fokus te gazifikimi, ndërsa po shqyrton edhe mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Termocentralin e Vlorës.