Search

Ndikimi i Kinës në sektorin e energjisë në Ballkan

05 Nëntor, 2020


Projektet energjetike të Kinës në rajonin e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht të fokusuara në nxjerrjen e thëngjillit dhe përdorimin e tij për prodhimin e energjisë elektrike. Edhe në rast se shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk bëhen pjesë e BE-së, ato do të përballen me shumë sfida në rast se dështojnë të plotësojnë standardet e BE-së për largim të përdorimit të thëngjillit.

Së fundmi, aktivitetet ekonomike të Kinës në Ballkanin Perëndimorë kanë qenë kryesisht të ndërlidhura me projekte infrastrukturore dhe energjetike.

Ndërsa ky bashkëpunim kritikohet nga këndvështrimi gjeo-politik dhe gjeo-strategjik pas prishjes së marrëdhënieve të Kinës me SHBA-të dhe BE-në, por edhe për mënyrën ‘klandestine’ se si janë realizuar projektet dhe rritjes së aferave korruptive, shtetet në Ballkanin Perëndimor do të ballafaqohen me një numër sfidash për shkak të këtij bashkëpunimi.

Elitat lokale politike thonë se këto projekte janë investime direkte të huaja të Kinës, kur në fakt këto janë vetëm forma kredish që në shumicën e rasteve përfshijnë edhe obligime të kontraktimit të kompanive kineze, përdorimit të teknologjisë, materialeve dhe fuqisë punëtore nga Kina.

Projektet janë kryesisht të bazuara në marrëveshje ndërshtetërore të ratifikuara nga parlamentet, dhe si të tilla, tejkalojnë legjislacionet e brendshme kombëtare, kryesisht përmes shmangjes së detyrimeve doganore për materiale ndërtimore, mos-mbajtjen e diskutimeve publike dhe tenderëve publik, mos-respektim të rregullave shtetërore të prokurimit dhe të tjera.

Në raste të ndryshme, sikurse në rastin e rindërtimit të termocentralit me thëngjill të Stanarit në Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, qeveritë lokale ndryshojnë ligje dhe rregullore për të akomoduar kërkesat e kompanive nga Kina. Kjo për shkak se investimet nga Kina nuk do të ishin të mundshme pa ndërhyrje direkte të autoriteteve në pushtet dhe pa ndryshuar ose anashkaluar ligjet dhe rregulloret.

Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova kryesisht përdorin qymyrin për prodhimin e energjisë elektrike, deri sa termocentralet në këto vende janë ndërtuar në vitet e ’60-ta, ’70-ta dhe ’80-ta. Për momentin, termocentralet në këto vende vlerësohen si ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Evropë.

Por, për shkak të varshmërisë së lartë ndaj qymyrit, këto vende kanë vetëm dy opcione reale për të ardhmën energjetike: mbyllja graduale e termocentraleve dhe të bëhen të varur për energji elektrike, ose të investojnë në rindërtimin e termocentraleve aktuale, për t’u përkushtuar në investime në burime të energjisë së ripërtëritshme në periudhë afatgjate.

Burime financiare nga BE dhe institucione tjera Perëndimore janë pothuajse jo-ekzistuese për projekte të këtij lloji, për shkak të përkushtimit të BE-së për të zhvilluar dhe promovuar burimet e energjisë së ripërtëritshme. Kjo mund të shihet edhe nga dështimi i përpjekjeve për të siguruar mjetet e nevojshme financiare për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill në Kosovë.

Fakt tjetër fakt i rëndësishëm është edhe cmimi i pajisjeve dhe gjeneratorëve të prodhimit. Cmimi i pajisjeve me origjinë nga Kina është dukshëm më i ulët se cmimi i pajisjeve me origjinë nga BE, sidoqoftë, sipas ekspertëve, ndërmjet tyre ka dallim thelbësor në cilësi.

Kështu shtetet në Ballkanin Perëndimor zgjedhin të bashkëpunojnë me Kinezët, pasi ofrojnë zgjidhje të shpejtë dhe të lirë, pa kushte të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të ‘politikave të gjelbëra’, ashtu sic kërkohet nga burime financiare perëndimore, sikurse BERZH.

Por, dy sfidat më të mëdha në lidhje me projektet kineze të qymyrit janë shqetësimet e drejpërdrejta mjedisore dhe çështjet mjedisore që ndërlidhen me procesin e integrimit të shteteve në BE. Nuk ka garanci nëse termocentralet me qymyr do të jenë më miqësore ndaj mjedisit në të ardhmën ose nëse termocentralet e rindërtuara do të operojnë në pajtim me standardet mjedisore, në vecanti me ato të ndërlidhura me ndotjen e ajrit. Me fjalë tjera, edhe nëse instalohet teknologji e pastrimit dhe desulfurizimit në termocentrale, ende nuk dihet nëse këto do të funksionojnë ashtu sic ishin paramenduar.

Procesi i integrimit Evropian nënkupton reforma që kundërshtojnë prodhimin e rrymës nga qymyri, për shkak se qymyri vlerësohet të jetë ndër kontribuesit kryesor me dioksid të karbonit. BE ka thënë se do të largojë përdorimin e qymyrit deri në vitin 2050 ndërsa disa nga shtetet anëtare kanë thënë se këtë proces do t’a përfundojnë më 2030.

Direktivat e reja të BE-së, standardet, Sistemi i Shkëmbimit të Emetimeve dhe Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, që të gjitha kontribuojnë në largimin gradual të përdorimit të qymyrit. Sipas këtyre rregullave, prodhuesit e energjisë elektrike nga thëngjilli do të humbasin nga rritja e taksave, e cila rritje do të reflektojë në rritjen e cmimit të energjisë elektrike me burim qymyrin në vitet në vijim.

Përfundimisht, pyetja që duhet parashturar për qeveritë e shteteve në Ballkanin Perëndimor është se pse nuk fokusohen në projekte të energjisë së ripërtritshme në marrëveshjet e tyre me Kinën? Kina është ndër prodhuesit më të mëdhenj të teknologjisë dhe pajisjeve të energjisë së ripërtëritshme, në vecanti të atyre solare. Disa nga vendet e rajonit kanë kushte të përshtatshme për prodhim të rrymës nga energjia diellore. Kjo mund të jetë e mirë për të gjitha palët, nëse nuk marrim parasysh sfidat tjera që lidhen me projekte të mbështetura nga Kina, por deri më tani, askush nuk ka shfaqur interesimin.

Burimi: berlinprocess.info

Ambientalistët kërkojnë nga BE të merret me shkeljet e ndermarrjeve Kineze

Lexo më shumë