Search

Ambientalistët kërkojnë nga BE të merret me shkeljet e ndermarrjeve Kineze

14 Shtator, 2020


Tetë organizata kanë kërkuar nga BE të merret me shkeljet ligjore të ndërmarrjeve nga Kina. Ata kërkojnë nga autoritetet në Bruksel dhe qeveritë e shteteve anëtare të kërkojnë nga Kina të ndalojë së ndërtuari termocentrale të reja qymyri në 27 vendet anëtare dhe në vendet që aspirojnë të bëhen anëtare.

Përmes një komunikate për media, përfaqësues të organizatave jo-qeveritare në Evropën Juglindore kanë thënë se ndërmarrjet shtetërore Kineze janë duke vepruar në kundërshtim me ligjet Evropiane të mjedisit, prokurimit dhe ndihmës shtetërore.

Si të tilla, ato duhen ndaluar, kanë thënë përfaqësusit e organizatave.

Kancelarja Gjermane Angela Merkel, Presidenti i Këshillit të Evropës Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të marrin pjesë në mbledhjen e organizuar ndërmjet Kinës – Gjermanisë dhe udhëheqësve të BE-së. Ambientalistët kanë thënë se përkundër politikave dhe udhëzuesëve, shumica e projekteve të ndërtuara nga Kina janë në kundërshtim me rregullat kombëtare dhe të BE-së.

Katër kontrata të reja janë nënshkruar për të ndërtuar katër termocentrale të reja qymyri dhe dy tjera për rehabilitim të termocentraleve të vjetra. Përvec projekteve energjetike, Kina është duke investuar fuqishëm edhe në projekte tjera infrastrukturore sikurse në autostrada dhe hekurudha në Ballkanin Perëndimor.

Përvec projekteve të lartëshënuara energjetike, vendet e Ballkani Perëndimor kanë nënshkruar edhe më së paku tri memorandume të reja mirëkuptimi për termocentrale të reja të qymyrit.

Të gjitha projektet e Kinës janë në kundërshtim me standardet Evropiane

Ndërmarrjet Kineze kanë blerë fabrikën e çelikut në Smederevo dhe minierën e bakrit në Bor, si dhe janë duke planifikuar ndërtimin e fabrikës së gomave në Zrenjanin, Serbi. Tetë organizata jo-qeveritare kanë thënë se asnjëri nga këto projekte nuk janë në pajtim me standardet e fundit të kontrollit të ndotjes të BE-së.

Shumica nga këto projekte kanë studime shumë të dobëta të ndikimit në mjedis deri sa zgjerimi i mihjeve në Drmno në Serbi nuk kishe studime të ndikimit aspak. Gjithashtu, projekti i termocentralit me qymyr ‘Tuzla 7’ në Bosnjë dhe Hercegovinë mori një garanci kredie e cila tani po shqyrtohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për shkak të pretendimeve mbi shkelje të rregullave të ndihmës shtetërore.

Në anën tjetër, Serbia ka marrëveshje me Kinën, që lejon zhvillimin e projekteve kineze pa procedura të tenderimit, kanë thënë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Sipas tyre, instalimi i pajisjeve jo-funksionale të desulfurizimit në termocentralin në Kostolac në Serbi si dhe rritjet e ndjeshme të ndotjes së ajrit në Bor dhe Smederevo, shpërfaqë modelin biznesor të këtyre investimeve Kineze si dhe lidhjet me akterë politik në Serbi.

‘Mungesa e zbatimit të ligjit dhe transparencës në këto raste është shqetësuese dhe do të rëndojë rrugëtimin e Serbisë në BE ndjeshëm’, shtonë përfaqësues të organizatave.

Ata kërkojnë nga BE të ndikojë në ndalimin e ndërtimit të termocentraleve të qymyrit nga Kina si dhe të bëjë ndryshimet ligjore për të mundësuar fuqizimin e Traktatit të Komunitetit të Energjisë.